Mblidhet Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian: raporti vjetor i vitit 2019 dhe masat e qeverisë për zbatimin e strategjisë së migracionit në qendër të agjendës

  • Postuar më, 24/01/2020

24 janar 2019


U mblodh sot në mjediset e Kryesisë së Kuvendit Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian. Në qendër të agjendës së diskutimeve ishte shqyrtimi dhe miratimi i raportit vjetor 2019 të KKIE-së, për t’ia dërguar më pas seancës plenare për miratim, si edhe zbatimi i strategjisë së migracionit, me fokus mbi masat e marra nga qeveria për kufizimin e migracionit të parregullt të shtetasve shqiptarë drejt vendeve të Bashkimit Europian duke përfshirë politikat e punësimit, mbrojtjen sociale për personat e rikthyer, politikat arsimore të ndjekura për personat e rikthyer, për të cilën përfaqësues të qeverisë nga institucione të ndryshme, raportuan sipas fushës së përgjegjësisë insitucionale, për anëtarët dhe të ftuarit e KKIE-s. Të pranishëm për të raportuar sa më sipër ishin znj. Rovena Voda, zëvendësministre e Ministrisë së Brendshme, znj. Merita Xhafaj, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; znj. Dajna Sorensen, Zëvendësministre e Financave dhe e Ekonomisë; znj. Nina Guga, Zëvendësministre e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, si edhe znj. Lenka Vitkova, Drejtuese e seksionit për shtetin e së drejtës dhe mirëqeverisjes në Delegacionin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë.


Mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian e hapën diskutimet e znj. Rudina Hajdari, kryetare, dhe z. Taulant Balla, zëvendëskryetar i Këshillit. Znj. Hajdari shprehu shqetësimin e saj për renditjen e Shqipërisë krah vendeve me konflikte të thella për nivelin e kërkimit të azilit në vendet e BE-së, sidomos në Gjermani, Francë dhe Hollandë. Ajo shtoi se sidomos ndaj Francës, një vend skeptik sa i takon çështjes së integrimit të Shqipërisë në BE, duhet treguar konkretësi e korrektësi në zgjidhjen e problematikës. Sipas znj. Hajdari, shifra e lartë e azilkërkuesve përgjatë 10 muajve të parë të vitit 2019, përbën shqetësim, edhe pse shumica e kërkesave janë refuzuar. Vetëm për muajin tetor 2019, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria, që aplikojnë për herë të parë, arriti në 1,964 persona. Sipas kryetares së Këshillit, shqetësues është edhe fakti që Shqipëria ka një përqindje më të lartë të kërkesave se sa vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ajo theksoi si një çështje për t’u adresuar sa më parë edhe largimin e madh të inxhinierëve, studentëve, punonjësve të shëndetësisë, informatikës etj, fenomen të cilin e konsideroi me pasoja për shoqërinë dhe ekonominë e vendit.


Z. Taulant Balla, zëvendëskryetar i KKIE, u shpreh se është i rëndësishëm ndërgjegjësimi mbarëkombëtar që kërkesat për azil, nuk ndihmojnë as azilkërkuesit dhe nuk e ndihmojnë as vendin. “Shqipëria është prej kohësh një vend, ku nuk mund të jesh grup vulnerabël për të fituar azil”, - u shpreh z. Balla, që shtoi gjithashtu se vetëm 2% e kërkuesve e përfitojnë atë. Z. Balla theksoi se më 29 janar Komisioni Evropian do të publikojë metodologjinë e re të monitorimit të zbatimit nga vendet kandidate të procesit të parahapjes së negociatave, e se Shqipëria e Maqedonia e Veriut, mbeten në krye të vëmendjes. Z. Balla u shpreh se Komisioni dhe Parlamenti Evropian i mbeten qëndrimit se negociatat me këto dy vende duhen hapur. Sa i takonte çështjes së masave kundër emigracion, zëvendëskryetari i Këshillit, u shpreh se ka nevojë për sinergji mbarëkombëtare, bashkëpunim me partnerët e shoqërisë civile dhe ata ndërkombëtar, duke e vënë theksin te qasja shkurajuese. Ai gjithashtu shtoi se emigracioni mbetet fenomen konstant për rajonin dhe solli shembullin e Kroacisë përgjatë viteve 2013-2016, ku edhe pse anëtare e BE-së, ¼ e milionit banorë e braktisën vendin. “Flukset migratore në Ballkanin Perëndimor janë realitet i pandalshëm, por ne duhet ta dekurajojmë me sa të mundemi”, - u shpreh z. Balla. Ai u ndal edhe te një fenomen i ri i vërejtur në të dhënat demografike, që meritonte vëmendje të shtuar nga qeveria: numri i lindjeve me numrin e vdekjeve po afrohen, ku bëri me dije se në 4 vite është përgjysmuar diferenca mes tyre. Ai kërkoi që qeveria dhe të gjithë aktorët të koordinojnë masat për t’u paraprirë efekteve të nesërme në ekonomi të këtij fenomeni. 


Pas fjalës së përfaqësuesve të qeverisë, të cilët prezantuan informacion të detajuar mbi zbatimin e strategjisë së migracionit, fjalën e mori Znj. Letkova, Drejtuese e seksionit për shtetin e së drejtës dhe mirëqeverisjes në Delegacionin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë, e cila theksoi se çështja e migracionit dhe adresimit të azilkërkuesve ishte shumë e rëndësishme për vendet e Bashkimit Evropian. Ajo theksoi se strategjia e migracionit ishte një dokument i mirë, i cili tashmë duhet të zbatohej. Ajo vlerësoi rritjen e bashkëpunimit të institucioneve shqiptare me homologët e tyre në vendet e BE-së për çështjet e kontrollit të kufijeve dhe menaxhimin e flukseve migratore. Ajo theksoi se duhet të trajtoheshin faktorët shtytës për të adresuar çështjen e migracionit të parregullt të shtetasve shqiptarë drejt vendeve të Bashkimit Europian.


Më pas paneli vijoi me diskutimet e impaktit të largimit të punëtorëve të kualifikuar nga vendi, çështje për të cilën diskutuan z. Kol Nikolla, kryetar i Konfederatës së Sindikatave dhe z. Bashkim Sykja, këshilltar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Gjithashtu, lidhur me projektet në fushën e migracionit dhe propozime për parandalimin e largimit të punëtorëve të kualifikuar dhe profesionistëve si dhe integrimin e personave të rikthyer, referuan znj. Alma Jani, drejtuese e zyrës IOM dhe z. Florenc Qosja, nga GIZ Albania.


Në fund të paneleve e mori fjalën znj. Erida Skëndaj, Drejtuese Ekzekutive e Komiteti Shqiptar te Helsinikit e cila propozoi disa sugjerime mbi formatin e takimeve të KKIE si dhe impaktit të këtyre takimeve.

Mbledhja e Këshillit, në përfundim të takimit, miratoi raportin vjetor për vitin 2019, për t’iu dërguar seancës plenare për votim.