Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik rrëzon Dekretin e Presidentit për paketën “Anti-shpifje”

  • Postuar më, 23/01/2020

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në seancën e tij të parë për këtë sesion parlamentar, pas diskutimesh të gjata, ka rrëzuar Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11413, datë 11.01.2020, “Për kthimin e ligjit nr. 91/2019, ‘Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 ‘Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”. Të ftuar në mbledhjen e sotme ka qenë z. Bledar Dervishaj, këshilltar ligjor i Presidentit të Republikës, znj. Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë, përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe OSBE.

Në fillim të mbledhjes kryetarja e Komisionit, znj. Fatjona Dhimitri ka ftuar deputetët që të shqyrtojnë edhe një herë në themel Dekretin e Presidentit. Më pas z.Bledar Dervishaj ka sqaruar përpara deputetëve të Komisionit, argumentet e Presidentit për mosdekretimin dhe kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.91/2019. Ai ka theksuar se Presidenti vlerëson ndryshimet që ka sjellë projektligji për sa i përket formalizimit të tregut të punës për gazetarët, por dhe të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve nga efektet negative që mund të përcillen në transmetimet apo publikimet elektronike, megjithatë sipas tij disa nene bien ndesh me parimet kushtetuese.

“Nga studimi i thelluar dhe krahasues të ligjit të miratuar në tërësi konstatohet se disa dispozita të tij, e konkretisht nenet: 14, 15, 29, 30 , jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bien në kundërshtim me parimet themelore kushtetuese, të ndërtimit të një shtetit demokratik, sigurisë juridike dhe të propocionalitetit”, u shpreh Dervishaj.

Nga ana tjetër, ministrja e Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj ka theksuar se pretendimet e Institucionit të Presidentit nuk qëndrojnë dhe se institucioni që ajo përfaqëson i qëndron argumenteve të paraqitura me herët si bashkë-propozues të këtij ligji.

 “Ajo çfarë ka pasur si qëllim të gjitha ndryshimet e Paketës Anti-shpifje kanë qenë pikërisht për të vendosur disa rregulla të qarta substanciale dhe procedurale për nëpunësit e shërbimeve të publikimeve elektronike për të parandaluar cënimin e dinjitetit dhe reputacionit të individëve, parandalimin e ekspozimit të të miturve ndaj përmbajtje të dëmshme dhe parandalimin e ekspozimit të të gjithë qytetarëve ndaj gjuhës së urrejtjes apo dhunës”, u shpreh ministrja Gjonaj.

Një prej relatorëve të këtij projektligji, deputeti i grupit parlamentar socialist, z.Musa Ulqini ka theksuar se ky ligj mundëson transparencën e financimit të portaleve, një standard i kërkuar ky nga BE; u garanton të drejtën qytetarëve që të kenë mjetet dhe instrumentet e duhur për t’ju garantuar privatësinë, si dhe shmang gjuhën e urrejtjes.  “Unë mendoj se këto janë qëndrime politike. Është e drejta e Presidentit të këtë qëndrime politike, por kurrsesi nuk janë argumente juridike, për këtë arsye unë si relator mendoj se pa zëvendësuar mendimin që do të shprehë në emër të mazhorancës, Nënkryetarja e Komisionit, znj. Mirela Kumbaro, t’ju ftojë të gjithëve të bëjmë aq sa kemi në dorë që ta jetësojmë sa më shpejt këtë projektligj në Kuvend, që është një e mirë e madh publike”, u shpreh Ulqini.

Në përfundim të mbledhjes, me shumicë votash, anëtarët e Komisionit kanë votuar për rrëzimin e Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11413, datë 11.01.2020 dhe dërgimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për miratim në seancë plenare.