Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 23/01/2020

Në drejtimin e kryetares znj. Mimi Kodheli, komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot mbledhjen e tij të parë për këtë sesion parlamentar.Pas miratimit të kalendarit trejavor të punës, komisioni mori në shqyrtim projektligjin“Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aneksin VI të konventës ndërkombëtare detare “Për parandalimin e ndotjeve nga anijet, 1973”, të ndryshuar me protokollin e vitit 1978 (MARPOL 73/78)”. I pranishëm për prezantimin e projektligjit në komision, ishte z.Artan Shkreli zëvendësministër në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.Në fjalën e tij z.Shkreli tha se: ”Ndryshimet kryesore në aneksin VI të konventës MARPOL kanë si qëllim  për të zvogëluar emetimet e ndotësve të ajrit. Sipas aneksit VI të rishikuar të konventës MARPOL, kufiri global i squfurit do të zvogëlohet nga 3.50% në 0.50%”.

Relatorja e këtij projektligji znj.Eglantina Gjermeni, në fjalën e saj, e vuri theksin në rëndësinë e aderimit të Republikës së Shqipërisë në aneksin VI të konventës ndërkombëtare detare. Sipas znj Gjermeni:”Aderimi në mënyrë të plotë në këtë konventë  ndikon  drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve shqiptarë”.

Projektligji në fjalë u miratua në parim nen për nen dhe në tërësi.  

Më tej komisioni vijoi me shqyrtimin e  projektligjit “Për ratifikimin e Konventës së Minamatës “Për mërkurin” 

Për prezantimin e këtij projektligji, e ftuar ishte znj.Ornela Çuçi zëvendësministre në ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Znj Çuçi, në fjalën e saj tha se aktualisht, konventa e Minamatës “Për mërkurin”, është firmosur nga 128 shtete dhe ratifikuar nga 105 shtete. “Procesi i ratifikimit të kësaj konvente nga Republika e Shqipërisë ka si qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit nga çlirimet dhe shkarkimet antropogjenike të mërkurit dhe do të finalizojë procesin e adresimit të problemeve që shkakton në mjedis dhe në atmosferë lëshimi i pakontrolluar i mbetjeve teknologjike që përmbajnë mërkur” vijoi znj. Çuçi.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme nga anëtarët projektligji në fjalë u miratua në parim nen për nen dhe në tërësi