Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vazhdon shqyrtimin në parim të projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2020”, me seanca dëgjimore me institucione të pavarura dhe universitetet publike të Tiranës dhe të rretheve

  • Postuar më, 15/11/2019

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vijoi edhe sot mbledhjet për shqyrtimin në parim të  projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2020”, me seanca dëgjimore me institucione të pavarura dhe universitetet publike të Tiranës dhe të rretheve.

Mbledhja filloi me seancën dëgjimore për diskutimin në parim të projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2020” me Akademinë e Shkencave. Të ftuar në mbledhje ishin: z.Skënder Gjinush – Kryetar, z.Vasil Tole- zv.kryetar dhe znj. Vjollca Xhamani – shefe e financave. Në zbatim të ligjit të ri “Për Akademinë e Shkencave në RSH”, i cili sjell një riorganizm dhe ngritjen e strukturave të reja për Akademinë, përfaqësuesit e saj shtruan një sërë kërkesash për mbështetje nga Buxheti i shtetit për vitin 2020, në zërat e pagave të personelit, sigurimet shoqërore, mallrat dhe shërbimet. 

Mbledhja vijoi me seancën dëgjimore për diskutimin në parim të projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2020” me rektorë të universiteteve publike të Tiranës. Prezent ishin: për Universitetin e Mjekësisë znj.Anila Bulo, zv.Rektore, dhe Andi Mahila - administrator; nga Universiteti i Tiranës  znj. Gentiana Keraj- zv. Rektore; nga Universiteti i Sporteve  z. Arben Çuka – rektor, dhe znj. Mirlinda Galushi – administratore. Gjatë diskutimeve, ndërmjet të tjerave, nga përfaqësuesit e Universiteteve u kërkuan rritje në grandet për investime, për mësimdhënie dhe kërkimin shkencor.

Në vazhdim u zhvillua seancë dëgjimore për diskutimin në parim të projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2020” me rektorët e universiteteve publike të rretheve, ku të pranishëm ishin: z. Skënder Topi - Rektor i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit; znj. Enslemvera Zake- administratore e Universitetit “Fan Noli” të Korçës; z. Roland Zisi - Rektor i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës dhe znj. Mirela Duka – administratore. Rektori Zisi ndërmjet të tjerave, shtroi kërkesën: “Është e nevojshme ngritja e godinës se re per Fakultetin e Shëndetit Publik për Universitetin e Vlorës, si dhe rritja e fondit për kërkimin shkencor”.

Mbledhja vijoi me seancën dëgjimore për diskutimin në parim të projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2020” me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, e cili u përfaqësua nga: z. Ardit Bido - drejtor i Përgjithshëm i Arkivave, z. Arben Dervishi - drejtor i Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse dhe z.Endrit Musaj- drejtor i Inspektimit dhe Trajnimeve. Drejtori Bido ndërmjet të tjerash tha: “Vlen të theksojmë se ndërtimi i godinës së re për ruajtjen e fondeve arkivore është përfunduar dhe po nis montimi i pajisjeve që do të krijojnë parametrat sipas standarteve të mikroklimës, ruajtjes e vëzhgimit,  por për të përmbushur misionin për të cilin po kryhet ky investim, mbetet domosdoshmëri pajisja me rafte për vendosjen e fondeve arkivore, që sipas preventivit paraprak shkon afërsisht në shumën prej 80 milionë.”.

Mbledhja e Komisonit u mbyll me votimin dhe miratimin në parim të projektligjit ”Për Buxhetin e Vitit 2020”.