Mblidhet Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin

  • Postuar më, 15/11/2019

Komisioni Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi një seancë dëgjimore mbi zbatimin e legjislacionit në fushën e eficencës së energjisë dhe mobilitetit urban,  në qytetin e Korçës,  në datat 13-14 nëntor 2019.

Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me GIZ dhe  Akademinë e Studimeve Politike, si pjesë e programit "Bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimi i kompetencave të parlamentarëve të Evropës Juglindore për eficencën e energjisë, ndryshimet klimatike dhe mobilitetin urban", i financuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) dhe i zbatuar nga Akademia e Studimeve Politike.

Anëtarët e Komisionit u njohën me gjendjen e plotësimit me akte nënligjore të legjislacionit mbi eficencën e energjisë dhe mobilitetit urban, si dhe me problematikat e evidentuara gjatë zbatimit të  këtij legjislacioni, nga ekspertët, në bashkëpunim me Instiutin Co-Plan.

Kryetari i Komisionit, z. Niko Peleshi, e cilësoi si mjaft të vlefshëm monitorimin e  procesit të plotësimit me akte nënligjore dhe të  zbatimit të legjislacionit, në kuadër të ushtrimit të funksionit të kontrollit parlamentar. Njohja me problematikat e evidentuara nga ekspertët e pavarur do t’u shërbejë deputetëve  në rritjen e rolit kontrollues ndaj ministrive të linjës dhe agjencive ligjzbatuese, duke kërkuar prej tyre zbatimin e detyrave të përcaktuara në legjislacion.

Pjesë e aktivitetit ishin edhe vizita në fermën solare të Ujësjellësit të Korçës si dhe investime të tjera të ndriçimit eficent dhe zonave të kufizuara të qarkullimit e mjeteve, që mund të shërbejnë si shembuj pozitivë për t’u përsëritur edhe në qytete të tjera.