Zëvendës kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi, merr pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e 15- vjetorit të krijimit të institucionit të Autoritetit të Konkurrencës

  • Postuar më, 15/11/2019

Zëvendës kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi, mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e 15- vjetorit të krijimit të institucionit të Autoritetit të Konkurrencës.  


I nderuar SH.T.Z. Andrea Vera

I nderuar Z.Minister Eduart Shalsi

Të nderuar:  Zonja Kryetare e Komisionit të Konkurrencës, të  nderuar anëtarë të Komisionit të Konkurrencës,  të nderuar pjesëmarrës:

Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetarit të tij, Z. Gramoz Ruci, dëshiroj të përshëndes Autoritetin e Konkurrencës, drejtuesen e tij, komisionerët dhe punonjësit dhe T’ju uroj për 15 vjetorin e krijimit të këtij institucioni të rëndësishëm për funksionimin normal të ekonomisë së tregut, për krijimin e një ambienti miqësor për biznesin, të ndershëm dhe të barabartë në mundësi për cilindo.

Kuvendi i Shqipërisë monitoron veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës si një institucion publik i pavarur. Duke ruajtur pavarësinë ligjore në kryerjen e detyrave Autoriteti i Konkurrencës ka mbajtur marrëdhënie të rregullta dhe periodike me Kuvendin e Shqipërisë.

Në kushtet e mungesës së eksperiencës dhe traditës, sot, pas 15 viteve, Autoriteti i Konkurrencës ka një profil më të konsoliduar; ai ka mundur që gradualisht të forcohet dhe të rrisë autoritetin e tij duke kaluar jo pak sfida.

Shpesh zbatimi i detyrimit të ligjit, sjellja e ndërmarrjeve dhe aktorëve të tjerë, 

varet edhe nga qëndrimi i institucioneve qendrore dhe vendore, gjykatës, medias, enteve rregullatore, biznesit dhe shoqatave të tij, shoqatave të konsumatorëve dhe publikut të gjerë.

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson përmirësimet e bëra në drejtim të: 

? Rritjes së nivelit të bashkëpunimit me organet e administratës shtetërore dhe lidhjet e marrëveshjeve të reja me entet rregullatore, në ruajtje të mjedisit konkurrues dhe vendosjes së balancave ekonomike; 

? Shtimit të numrit të hetimeve në tregjet tradicionale dhe veçanërisht në tregjet e reja  të ndjeshme për publikun e gjerë; 

? Monitorimin në vazhdimësi të zbatimit të rekomandimeve, dhënë nga Komisioni i Konkurrencës, organeve të administratës shtetërore dhe enteve rregullatore, sipas tregjeve që ato rregullojnë; 

? Realizimin e ekzekutimit të vendimeve të marra nga Komisioni i Konkurrencës në vite; 

? Forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve administrative dhe përmirësimit të nivelit te ekspertizës së stafit për t’iu përshtatur dinamikës së tregjeve në zhvillim, duke synuar mirëfunksionimin e tregjeve, përdorimin me eficencë të burimeve ekonomike të vendit dhe rritjen e mirëqënies konsumatore, duke u bazuar në standartet dhe praktikat më të mira europiane dhe të autoriteteve homologe të vendeve të tjera me të cilat bashkëpunon dhe shkëmben eksperiencat respektive.

Kuvendi vlereëson që vendimmarrja e Autoritetit, ka mbuluar pak a shumë të gjithë tregjet e sektorët e ekonomisë shqiptare, duke u ndalur veçanërisht në ata më të ndjeshëm e me ndikim të drejtpërdrejtë në konsumatorin shqiptar të tillë si: karburantet, gazi, telefonia celulare, tregu i sigurimeve, tregu bujqësor, sistemi bankar dhe produktet  e tij,prokurimet publike, tregu i transportit ajror, tregu i shërbimeve spitalore, sektori i arsimit të lartë, etj.  

Me vjen mirë të  theksoj se Shqipëria ka plotësuar në mënyrë të kënaqshme të gjitha detyrimet e drejtpërdrejta e të tërthorta që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ku Autoriteti ka pasur rolin e tij si lider dhe koordinator i Kapitullit 8 "Politika e Konkurrencës", vlerësojmë Autoritetin për kontributin që ka dhënë në kuadër të proçesit të integrimit evropian dhe në  përmbushje të akteve të planifikuara në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian (PKIE) 2018-2020, për kapitullin “Politika e Konkurrencës”, duke hartuar dhe miratuar legjislacionin rregullator dhe mbikëqyrës në fushën e konkurrencës, duke mundësuar zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit me synim përafrimin me standardet ndërkombëtare, në kuadër të përmbushjes së angazhimeve të institucionit dhe të vendit për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE.


Të nderuar pjesëmarrës,


Ne jetojmë në një periudhë të globalizimit të shpejtë dhe të gjithanshëm. Në këtë kuadër, tregu dhe konsumatorët kanë një rëndësi të veçantë. 

Në mënyrë që konsumatori të marrë shërbime dhe  produkte cilësore, na duhet të sigurohemi se tregu funksionon, nxit inovacionin dhe se është i orientuar drejt konsumatorit. 

Konkurrenca e fuqishme përbën nxitësin kryesor të rritjes së prodhimit dhe siguron që tregu të mbetet konkurrues. Njëkohësisht ajo ka efekt pozitiv te konsumatorët sepse këta të fundit përfitojnë nga mundësia e zgjedhjeve, cilësia, çmimet e drejta dhe prodhimet e reja. Kjo arrihet falë zbatimit rigoroz të ligjit dhe të politikës së konkurrencës.

Ndërkohë që tregjet ekonomike dhe financiare ndërlikohen, monitorimi i tyre bëhet edhe më i vështirë, kjo kërkon domosdoshmërisht bashkëpunimin ndërinstitucional dhe shkëmbimin e informacionit në vazhdimësi ndërmjet ekzekutivit, legjislativit dhe institucioneve të pavarura. 

Ruajtja ose nxitja e konkurrencës efektive është e domosdoshme, duke patur parasysh kufizimet që sektori privat apo ai shtetëror mund t’i bëjnë konkurrencës. 

Për këtë qëllim Autoritetit i është dhënë e drejta të shqyrtojë  përshtatshmërinë dhe efektivitetin e të drejtave ekskluzive dhe të koncesioneve me synim ruajtjen e balancës së interesit publik me mbrojtjen dhe ushtrimin e parimeve të konkurrencës.

Nga ana e Kuvendit të Shqipërisë është kërkuar gjithmonë bashkëpunimi i organeve ekzekutive të të gjitha niveleve me Autoritetin, duke zbatuar detyrimin për të kërkuar paraprakisht vlerësimin ligjor të Autoritetit të Konkurrencës për çdo projekt akt normativ që ka si objekt ose pasojë dhënien e të drejtave ekskluzive ose kufizime sasiore ose cilësore të konkurrencës në tregje ose sektorë të ndryshëm të Ekonomisë e veçanërisht për kontratat konçesionare si dhe për konsultime të përhershme në procesin e përgatitjes dhe miratimit të akteve ligjore dhe nënligjore për të siguruar një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg.

Kuvendi i Shqipërisë ka mbështetur vazhdimisht Autoritetin e Konkurrencës 

për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe për konsolidimin profesional. 

Duke ju falenderuar edhe njeherë për ftesën, më  lejoni  të vlerësoj fillimin e Projektit të binjakëzimit IPA, me fokus “Forcimi i mëtejshëm i kapaciteteve të Autoritetit të Konkurrencës, për mbrojtjen e një konkurrence të lirë dhe efektive në treg” i cili shkon në atë linje me rekoamdimet e Kuvendit të Shqipërisë ndaj këtij institucioni.

Ndërkohë do dëshiroja të ndaja me ju informacionin se falë Platformës Ndërinstitucionale të realizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, do të mundësohet rritja e nivelit të përmbushjes së rekomandimeve që Autoriteti i drejton të treteve.

Në mbyllje të fjalës time ju përgëzoj për arritjet e deritanishme dhe ju inkurajoj në forcimin e rolit tuaj në mbrojtje të konkurrencës së lire e efektive në treg duke patur si qëllim final rritjen e mirëqënies së konsumatorit si dhe në arritjen e objektivave tuaja të mëtejshme!