Koha jonë është koha e juristëve: Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, përshëndeti në ceremoninë e diplomimit në Fakultetin e Drejtësisë

  • Postuar më, 13/11/2019

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, përshëndeti sot në mbrëmje ceremoninë e diplomimit në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Me këtë rast, Kryetari i Kuvendit ndau me studentët dhe pedagogët e këtij Fakulteti disa refleksione mbi sfidat e sotme të drejtësisë shqiptare.

“Shekullin e ri e quajnë erën e internetit apo erën e ekonomisë dhe të ekonomistëve. Unë mendoj se koha jonë është e juristëve. Ata janë sot rregullatorët e qytetërimit. Teknologjia dhe ekonomia nuk mund të shndërrohen në të mira publike, pa rregullat mbrojtëse nga zhvillimet teknologjike e shpërndarja e pabarabartë e pasurisë.

Çdo profesion e proces shoqëror ka disa vija të kuqe që nuk duhet të kapërcehen. Ju, juristët, jini gardianë të tyre. Por për këtë nevojitet një sistem drejtësie i ndershëm, të cilin deri tani nuk e kemi pasur.

Pse e nisëm ne reformën në drejtësi? Sepse mbi 95% e shqiptarëve kërkonin pastrimin e sistemit që shiste, në vend të bënte drejtësi; Që ndihmonte të fortin, në vend të mbronte të drejtën dhe Republikën. Që bënte drejtësi në emër të grabitqarëve, jo në emër të pasurisë së krijuar me djersë; Që nëpërmjet gjyqtarëve të korruptuar, këtyre tregëtarëve të mjerimit, frenonte zhvillimin e godiste mirqënien e shumicës. Ku një gjyqtar a prokuror, me kostum dhe çantë të zezë, bënte më shumë krime se një bandë hajdutësh ordinerë.

Reforma në drejtësi nuk është qëllim në vetvete, por investim për të ardhmen. Sepse një drejtësi e korruptuar krijon një shoqëri të padrejtë, ushqen varfërinë, ndihmon mbretërimin e injorancës dhe riprodhon pasigurinë sociale. Kemi pasur mjaft prova e kohë të bindemi se nëse duam pronë, zhvillim e mirëqenie, të rindërtojmë drejtësinë. Nëse duam paqe e siguri, të rindërtojmë drejtësinë. Nëse duam drejtësi sociale, të rindërtojmë drejtësinë. Pandëshkueshmëria luftohet atëherë kur askush nuk është mbi ligjin, por askush nuk nëpërkëmbet prej tij.

Shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për kontributin e çmuar që pedagogët e fakultetit tuaj po japin për reformimin e drejtësisë. Ky kontribut nuk është thjesht profesional, por kombëtar.

Reforma nuk do të jetë produktive nëse nuk plotësohet nga rishikimi i programeve, teksteve e mësimdhënies në fakultetin tuaj. Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një proces teknik, i cili nuk do të ketë sukses pa një qasje adaptive dhe rishikimin e të gjithë përbërësve të sistemit. Drejtësia nuk ka nevojë vetëm për institucione dhe individë, por për frymën e së drejtës që duhet të sundojë në mënyrë kapilare në tërë shoqërinë.

Për këtë është i dobishëm kontributi i pedagogëve, profesionistëve të rinj, por edhe studentëve. Sepse fatkeqësisht shkolla e politizuar e drejtësisë u zëvëndësua nga një kastë uzurpatorësh, që po ndërtonin jo tempullin e së drejtës, por një kënetë padrejtësie e zullumesh, kundër Republikës e qytetarëve. Ideologjia politike u zëvëndësua nga ideologjia e korrupsionit, njësoj e rrezikshme për sistemin dhe shoqërinë. Ju takon edhe juve të kontriboni që drejtësia të dalë nga moçali i degradimit.  Prandaj Kuvendi është dhe do të jetë i hapur për ndihmën tuaj. Ky nuk është një favor, por detyra jonë si legjislatorë.

Në tetor bëmë një bilanc të bashkëpunimit tone me universitetet në kuadrin e marrëveshjeve të nënshkruara para një viti. Konstatuam se të dy palët po përfitojmë prej tyre. Kuvendi për të tërhequr mendimin e kualifikuar shkencor në ligjbërje e kontroll parlamentar, dhe universitetet për të rritur aksesin në programet për fuqizimin e ekonomisë, drejtësisë dhe institucioneve.

Bashkëpunimi me Fakultetin tuaj është prioritar në kuadrin e bashkëpunimit me botën akademike. Puna që kini nisur me Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, kontributi në Reformën në Drejtësi dhe hartimin e ligjeve, përfshirja e studentëve në veprimtarinë e Kuvendit përmes intershipeve do të  intensifikohen.

Studentët janë të mirëpritur në të gjitha format e bashkëpunimit dhe unë ju ftoj ta konsideroni Kuvendin një kantier të dijeve dhe shprehive profesionale, një ushtrim për karrierën tuaj.

Vendi dhe shoqëria kanë pasur e do të kenë gjithmonë nevojë për profesionistët e ligjit. Sepse juristët janë reparti i këmbësorisë i zbatimit të Kushtetutës dhe ligjeve.

Në misionin tuaj, ju nuk do të jini të vetëm, por do të kini mbështetjen e institucioneve dhe të gjithë shoqërisë. Çdo qytetar i këtij vendi duhet të ndërgjegjësohet se drejtësia do të vendoset, kur për të luftojnë jo vetëm viktimat prej saj, por e gjithë shoqëria.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.