Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi mori pjesë në tryezën e organizuar nga Avokati i Popullit dhe Prezenca e OSBE në Shqipëri me temë “Roli i Avokatit të Popullit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri”

  • Postuar më, 13/11/2019

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi mori pjesë në tryezën e zhvilluar nga Avokati i Popullit dhe Prezencës  së OSBE në Shqipëri me temë  “Roli i Avokatit të Popullit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri”.

Në cilësinë e Kryetares të Nënkomisionit Parlamentar “Për të drejtat e njeriut”, në fjalën e saj znj. Hysi theksoi se respektimi i të drejtave të njeriut në procesin e hartimit dhe të miratimit të ligjit është domosdoshmëri dhe se rishikimi i legjislacionit nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut paraqet rëndësi të veçantë në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. 

Znj Hysi vuri theksin në rolin e Nënkomisionit për të drejtat e njeriut në procesin legjislativ,  të konsultimit publik të projektligjeve, në trajtimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të adresuara nga institucionet e pavaruara, organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë dhe mbrojnë të drejtat e njeriut si dhe adresimin e rekomandimeve të mekanizmave monitorues të konventave të të drejtave të njeriut ku Shqipëria është palë.

Trajtimi i peticioneve, kërkesave dhe letrave që i adresohen nënkomisionit si dhe vizitat monitoruese pranë intitucioneve  janë pjesë e veprimtarisë së  nënkomisionit  për të drejtat e njeriut. 

Znj, Hysi. informoi pjesëmarrësit për rrjetin  e  komisioneve të të drejtave të njeriut dhe të barazisë gjinore (HUGEN) të krijuar mes parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe  ritheksoi nevojën e forcimit të bashkëpunimit me shoqërinë civile, universitetet në lidhje me forcimin e respektimit të të drejtave të njeriut  në procesin e hartimit dhe të zbatimit të ligjeve.