Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ambasadorin e ri të Austrisë, z. Christian Steiner: "Pa Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në BE, Europa është e paplotë"

  • Postuar më, 13/11/2019

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ambasadorin e ri të Austrisë, z. Christian Steiner, me rastin e fillimit të mandatit të tij në Shqipëri. 

Kryetari Ruçi e uroi Ambasadorin Steiner për detyrën e tij të re dhe shprehu besimin se gjatë këtij mandati marrëdhëniet midis të dy vendeve do të fuqizohen më tej.

“Austria është një partner i rëndësishëm i Shqipërisë. Midis të dy vendeve kemi marrëdhënie dhe një bashkëpunim të shkëlqyer politik. Ne i  jemi mirënjohës Austrisë për mbështetjen e  fuqishme për integrimin europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor  dhe besojmë se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen,” nënvizoi Kryetari Ruçi.

Ambasadori Christian Steiner falenderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për pritjen e ngrohtë dhe vlerësimin e  lartë të bashkëpunimit me Austrinë dhe vuri në dukje se të njejtat vlerësime ndan edhe pala austriake. “Është hera e dytë që vij me detyrë në Shqipëri dhe gjeta një Shqipëri tjetër. Austria do të vazhdojë të mbështesë çeljen e negociatave dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë. Pa Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në BE, Europa është e paplotë,” theksoi Ambasadori Steiner. 

Kryetari Ruçi dhe Ambasadori Steiner biseduan edhe mbi zgjerimin e bashkëpunimit parlamentar dhe bashkëpunimit në fushat të tjera të ekonomisë, arsimit, kulturës, sigurisë etj.