Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti të Ngarkuarin me Punë të Kosovës, z. Syl Ukshini

  • Postuar më, 13/11/2019

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti të Ngarkuarin me Punë të Kosovës, z. Syl Ukshini, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri. 

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, e falenderoi z. Ukshini për kontributin e tij në zgjerimin e bashkëpunimit vëllazëror midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe i uroi suksese në vazhdimin e karrirerës së tij diplomatike. “Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha aspektet, në konsolidimin e demokracisë, fuqizimin e pozitës së saj në rajon dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare si edhe anëtarësimin në nismat dhe organizatat rajonale e ndërkombëtare. Bashkëpunimi ynë me institucionet  e reja të Kosvës do të vazhdojë të rritet e zgjerohet në të gjitha aspektet. Në trajtimin e sfidave që kanë përpara,  këto institucione duhet të mbajnë parasysh rekomandimet e ShBA-së dhe partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.”, theksoi Kryetari Ruçi. 

I Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës, z. Syl Ukshini, falenderoi Kryetarin Ruçi për mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe të tijën personale për përmbushjen me sukses të misionit të tij në Shqipëri dhe shprehu besimin se kjo mbështetje do të vazhdojë.

Kryetari Ruçi dhe i Ngarkuari me Punë i Kosovës Ukshini biseduan edhe mbi aspekte të tjera të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës si edhe mbi zhvillimet në rajon.