Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli pati një takim me Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Sh. T. Z. Peter Zingraf

  • Postuar më, 12/11/2019


 Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli pati një takim kortezie me Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës Federale të Gjermanisë, Sh. T. Z. Peter Zingraf, në fillim të mandatit të tij në vendin tonë.  
Znj. Kodheli përgëzoi z. Zingraf për emërimin në postin e lartë të Ambasadorit dhe i uroi atij mirseardhjen në Shqipëri. Më tej, ajo shprehu mirënjohjen për ndihmën e jashtëzakonshme dhe të pandërprerë që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë si në planin ekonomik ashtu edhe në atë politik, e veçanërisht në mbështetje të perspektivës europiane të Shqipërisë. Duke folur konkretetisht për shtyrjen e hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE, znj. Kodheli u shpreh se pavarësisht zhgënjimit që ajo shkaktoi, dhe jo vetëm tek shqiptarët, ne do të vazhdojmë me këmbëngulje proceset demokratizuese dhe reformën e institucioneve. Zgjedhja e dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese është dëshmia më e fundit e këtij vullneti. Ndërkohe ne vazhdojmë të jemi besimplotë tek Procesi i Berlinit si një instrument tepër i rëndësishëm në zhvillimin dhe perspektivën europiane jo vetëm të Shqipërisë por edhe të vendeve të tjera të rajonit.          
Ambasadori gjerman falënderoi për mikpritjen dhe siguroi znj. Kodheli se mbështetja e vendit të tij do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ai tha se Gjermania po i intensifikon takimet me partnerët europianë që u shprehen kundër hapjes së negociatave. Ne po përpiqemi të kalojmë tek ta mesazhet e duhura dhe t’i informojmë sakte mbi arsyet e qëndrimeve tona në favor të hapjes së negociatave, arsye që kanë të bëjnë me nje sërë faktorësh e me së pari me progresin e Shqipërisë. Më tej ai theksoi se, sikurse ishte shprehur edhe një ditë më parë, në përfundim të votimit të Parlamentit për emërimin e gjykatësve kushtetues, në rrugën e reformave dhe krijimit të institucioneve funksionale është e rëndësishme që të gjithë aktorët të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të mos humbin fokusin. Askush nuk mund ta ndalë tik-takun e orës që ecën në favor të tyre, tha Ambasadori Zingraf.  
Bashkëbiseduesit folën gjithashtu mbi nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik në një raport të drejte win-win, ku të gjithë të përfitojnë, duke shfrytëzuar tërë potencialet ekzistuese si dhe të intensifikimit të kontakteve midis parlamentarëve, çka do të kontribuonte ndjeshëm në njohjen e Shqipërise dhe forcimin e marrëdhenieve të gjithaënëshme dhe ndjenjave miqësore midis dy vendeve dhe popujve tanë.