Konferenca e Kryetarëve mblidhet për prezantimin e buxhetit të vitit 2020, nga Ministrja e Financave, znj. Anila Denaj

  • Postuar më, 08/11/2019

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi u mblodh sot Konferenca e Kryetarëve ku në rendin e ditës ishte parashikuar: prezantimi nga Ministrja e Financave, znj. Anila Denaj i projektligjit “Për buxhetin e vitit 2020”, si dhe miratimi i kalendarit të veçantë të projektbuxhetit dhe Kalendarit 3-javor të punimeve të Kuvendit. 

Konferenca e Kryetarëve u mblodh në respektim të nenit 79 të Rregullores së Kuvendit, pas depozitimit të projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2020”. 

Në mbështetje të nenit 78, pika 1 të Rregullores, Kryetari i Kuvendit njofton menjëherë Kuvendin për paraqitjen e projektligjit të Buxhetit të Shtetit. 

Në mbështetje të nenit 78, pika 3 të Rregullores së Kuvendit, projektligji i buxhetit së bashku me projektligjet financiare futen automatikisht në programin aktual të punës së Kuvendit. Kuvendi miraton një kalendar të veçantë shqyrtimi. 

Bazuar në nenin 79, pika 2 të Rregullores, projektbuxheti u paraqit në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve nga Ministrja e Financave, znj. Anila Denaj. 

Znj. Denaj paraqiti përpara anëtarëve të Konferencës së Kryetarëve të gjithë treguesit e projektbuxhetit të vitit 2020 sipas relacionit shoqërues. 

Më pas Konferenca e Kryetarëve miratoi me konsensus edhe kalendarin e veçantë të projektbuxhetit dhe projektligjeve financiare që kanë lidhje me të, me shqyrtimin në parim në datë. 5 dhjetor 2019 dhe datë 19 dhjetor 2019 shqyrtimin nen për nen dhe në tërësi në seancë plenare. 

Së fundi, Konferenca e Kryetarëve miratoi edhe kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 25 nëntor-19 dhjetor 2019.