Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ambasadoren e Suedisë, znj. Elsa Hastad

  • Postuar më, 05/11/2019

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot Ambasadoren e re të Suedisë, znj. Elsa Hastad. Pasi e uroi për marrjen e detyrës dhe përmbushjen me sukses të misionit të saj të ri, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, shprehu gadishmërinë e Kuvendit për të zgjeruar bashkëpunimin me Ambasadën e Suedisë si edhe Parlamentin suedez. “Suedia është një vend mik dhe unë gjej rastin tju falenderoj për qëndrimin pozitiv për hapjen e negociatave. Këtë mbështetje e  mora edhe gjatë takimit me Kryetarin e ri të Parlamentit, Andreas Norlen, në Vienë,  në prill të këtij viti. Vlerësojmë nivelin e shkëlqyeshëm të marrëdhënieve politike dhe  shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë nga politikanët shqiptarë në  Stokholm gjatë viteve të fundit.  Këtë vit ne festojmë 50 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe ky është një moment që  na shtyn për të forcuar bashkëpunimin dypalësh. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë për integrimin e  Ballkanit Perëndimor. Shqipëria luan një rol konstruktiv në rajon, nxit bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.”, nënvizoi Kryetari  i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Ambasadorja Hastad, pasi falenderoi Kryetarin e Kuvendit Ruçi për këto vlerësime dhe shprehu kënaqësinë për emerimin e saj në Shqipëri, vuri në dukje se “Suedia do të vazhdojë të mbështesë rrugëtimin europian të Shqipërisë. Unë do të punoj për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, rritjen e ndihmës së Suedisë për Shqipërinë, duke u fokusuar në asistencën dhe mbështetjen për procesin e negociatave të pranimit.”, theksoi Ambasadorja Elsa Hastad

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dhe Ambasadorja e Suedisë, znj. Elsa Hastad, biseduan edhe mbi zhvillimet politike në Shqipëri dhe ecurinë e reformave integruese dhe të reformave të tjera në jetën politike dhe ekonomike të vendit.