Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 17/10/2019

Nën drejtimin e Kryetarit, Z. Gramoz Ruçi, Kuvendi u mblodh në seancë plenare. 

Në hapje të seancës së sotme deputetët miratuan procesverbalin e seancës plenare të datës 09.10.2019.

Seanca vijoi me shqyrtimin e tre projektligjeve të depozituara në Kuvend.

Projektligji “Për miratimin e buxhetit faktik për vitin 2018”. Për këtë projektligj, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Z. Arben Ahmetaj tha: “Të gjithë deputetët apo ministrat që folën për buxhetin faktik u përqendruan diku më shumë e diku më pak tek çështjet e tyre specifike duke treguar arritjet, mos-arritjet dhe risqet sigurisht të lidhura me planin për të ardhmen. Unë do të fokusohem tek shtyllat kryesore ekonomike të viteve të fundit të lidhur me buxhetin faktik dhe padyshim duke i lidhur me planet për të ardhmen e qeverisë e duke theksuar risqet. Arritja prej 14% e prodhimit të brendshëm bruto ishte lajtmotivi dhe shtylla kryesore e vitit 2018. Thelbi kryesor është rritja ekonomike. Këtu fillon diskutimi. Padyshim që dhe besimi i aktorëve në ekonomi ka ardhur duke u rritur. Një tjetër moment i rëndësishëm janë reformat. Reformat janë si ti japësh biçikletës dhe ditën që ndalon pedalimi rrëzohesh. Ne nuk kemi kohë të ndalojmë asnjë sekondë, asnjë ditë reformat në shërbim të qytetarëve.”

Në emër të Grupit Parlamentar Demokrat, Znj. Rudina Hajdari u shpreh: “Kjo është një pikë e rëndësishme për ne për të bërë një rezyme të asaj çfarë është bërë gjatë vitit 2018.  Ky ishte një vit i rrënimit ekonomik në Shqipëri që soli zero investime të huaja dhe largim masiv të qytetarëve. Kjo tregon që ne jemi në prag të një kolapsi ekonomik. Raportet ndërkombëtare tregojnë se krimi i organizuar ka kapur sektorin ekonomik. Propaganda që po shitet sot tregon qartë se ne nuk jemi në gjendje që të mburremi në asnjë aspekt përfshi këtu edhe aspektin ekonomik.”  

Pas diskutimeve kuvendi miratoi me 79 vota pro, 20 kundër dhe 3 abstenim projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik për vitin 2018”.

Gjatë shqyrtimit të projektligjit tjetër, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare” Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Z. Ervin Bushati u shpreh: ‘Sot sjellim një projektligj që është diskutuar për një kohë të gjatë mes parlamentit dhe qeverisë. Ai adreson disa problematika apo mangësi që kemi vërejtur në treg gjatë një zhvillimi nga rënia e diktaturës të një ekonomie të centralizuar drejt tregut të lirë. Ky ligj nuk cënon tregun e lirë por i vjen në ndihmë dhe ndërkohë adreson një problematikë që ka të bëjë me shërbimet publikë të cilat i mungojnë qytetarëve në rast se nuk ka një specifikë nga tregu i lirë apo kompanitë private. Shpresoj që ky projektligj të votohet nga të dyja krahët e parlamentit sepse për herë të para merren disa prona publike dhe vihen në funksion të disa investimeve më strategjike që mund të ndihmojnë ekonominë shqiptare aq më tepër kur jemi në momentin që investimet publike direkte nga buxheti i shtetit janë në nivelin e tyre maksimal.”  

Seanca miratoi me 77 vota pro, 19 kundër dhe 3 abstenim projektligjin “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”.

Projektligji i tretë i shqyrtuar gjatë kësaj seance plenare, ishte projektligji “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Znj. Artemis Dralo u shpreh: “Qëllimi i projektligjit mbi masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë, është vendosja dhe zbatimi i tyre,  në funksion të ruajtjes së paqes dhe sigurisë, parandalimit të konflikteve ndërkombëtare, mbështetjes dhe forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit, të të drejtave të njeriut, si dhe arritjen e objektivave të tjera të sigurisë së përbashkët  në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, te akteve të organizatave të tjera ndërkombëtare apo marrëveshjeve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë. Përveç përmbushjes së qëllimit parimor  për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, ky ligj ka si objektiv edhe përmbushjen e detyrimeve që vendi ynë ka  si vend anëtar i Kombeve të Bashkuara,  për zbatimin e rezolutave të OKB-së të Kartës së Kombeve të Bashkuara, por gjithashtu edhe rekomandimet e Task Forcës për Veprim Financiar” 

Deputetët miratuan me 83 vota pro, 4 kundër dhe 4 abstenim projektligjin “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”.

Më tej deputetët miratuan programin e punës së Kuvendit për periudhën 28 tetor – 13 dhjetor 2019 si dhe kalendarin 3 javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 28 tetor – 15 nëntor 2019. 

Seanca plenare u mbyll në orën 16:20.