NJOFTIM PËR SHPALLJEN E VENDIT VAKANT PËR KRYETAR TË AUTORITETIT TË MEDIAVE AUDIOVIZIVE

  • Postuar më, 16/10/2019

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në mbledhjen e datës 14 tetor 2019 2019, duke qenë se me datë 06.11.2019 përfundom mandatit 5 vjeçar i Kryetarit të AMA-s, Z.Gentian SALA, mbështetur në nenin 10, pika 2, të ligjit nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar,

 

VENDOSI:

1.      Shpalljen e vendit vakant të Kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

 

2.      Çdo shtetas që plotëson kushtet e nenit 7 dhe 8 të ligjit nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, mund të paraqitet si kandidat për Kryetar i AMA-s. Kërkesa paraqitet e shoqëruar me dokumentacionin përkatës që provon përmbushjen e kritereve ligjore për anëtar të AMA-s.

3. Afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave është data 15 nëntor 2019.

4. Propozimi i çdo kandidature duhet të përmbajë:

a) CV-në e nënshkruar në çdo faqe nga kandidati.

b) Librezë pune ose vertetime te tjera që provojnë përmbushjen e kriterit ligjor të përvojës në punë.

c) Vërtetim i gjendjes gjyqësore.

ç) Formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit 138/2015 për dekriminalizimin, i cili gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë si dhe bashkelidhur ketij njoftimi.

d) Formularin e plotësuar në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish – Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i cili gjëndet bashkëlidhur këtij njoftimi.

 

 

 

 

 

Kushtet dhe kriteret për t’u zgjedhur Kryetar i AMA-s

Neni 7

Papajtueshmëritë dhe konflikti i interesave

 

            1. Anëtarë të AMA-s nuk mund të jenë individët që:

            a) janë anëtarë të partive dhe shoqatave politike, kandidojnë për deputet apo janë zgjedhur të tillë gjatë 2 legjislaturave të fundit, kanë konkurruar për kryetar të njësive vendore në zgjedhjet e fundit të organizuara për to apo kanë ushtruar detyrën e kryetarit të bashkisë, anëtarit të Këshillit të Ministrave apo të prefektit gjatë 3 vjetëve të fundit, si dhe ata që janë anëtarë të Këshillit të Ankesave, AKEP-it apo punonjës të këtij të fundit;

            b) janë persona të lidhur, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” ose që kanë në pronësi pjesë kapitali apo aksione të shoqërive tregtare, si dhe të drejta të tjera në fushën e transmetimeve audiovizive, reklamës, prodhimeve të përmbajtjes së transmetimeve audiovizive, rrjeteve të komunikimit elektronik apo persona të punësuar gjatë vitit të fundit, anëtarë të organeve drejtuese apo këshilluese të këtyre subjekteve apo të lidhur me ndonjë licencë me këto subjekte.    

            2. Anëtarët e AMA-s duhet të deklarojnë:

            a) çdo interes apo lidhje me ndonjë subjekt të  licencuar nga AMA;

            b) çdo interes të mundshëm në ndonjë licencë, që AMA ka dhënë ose synon të japë, si dhe nuk mund të marrin pjesë në diskutimin apo vendimmarrjen e çështjeve të lidhura me këta interesa apo lidhje, që përbëjnë raste për skualifikim, sipas nenit 37 të Kodit të Procedurave Administrative.

            3. AMA harton dhe miraton një kod sjelljeje, lidhur me rregullimin e veprimtarisë së saj për çështjet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, si dhe miraton kodet e të njëjtit lloj për administratën e AMA-s dhe bordeve që mund të ngrejë.

            4. Anëtarët e AMA-s nuk lejohet të shprehen ose të mbajnë qëndrime publike që cenojnë paanshmërinë e tyre, në raport me interesat e përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.

            5. Anëtarët e AMA-s duhet të mos influencohen financiarisht apo politikisht dhe duhet të veprojnë gjatë gjithë kohës për të përmbushur dhe thelluar objektivat e AMA-s.

Neni 8

Përbërja e AMA-s

 

1. AMA përbëhet nga Kryetari, Zëvendëskryetari dhe 5 anëtarë.

2. Kandidat për t’u zgjedhur anëtar i AMA-s mund të jetë çdo person, i cili ka përvojë pune jo më pak se 10 vjet në fushat e:

a) medias në përgjithësi;

b) transmetimeve audiovizive të shërbimit publik, tregtar ose jotregtar;

c) prodhimit të përmbajtjes së transmetimeve audiovizive;

ç) teknologjive të medias;

d) ekonomisë, administrimit dhe rregullave te konkurrencës;

dh) çështjeve të zhvillimit të gjuhës shqipe;

e) çështjeve që lidhen me personat me aftësi të kufizuar e grupeve të tjera vulnerabël;

ë) artit, kulturës e muzikës;

f) drejtësisë, ligjit, administrimit publik;

g) shkencës, mjedisit dhe zhvillimit teknologjik;

gj) mbrojtjes së konsumatorit;

h) veprimtarive shoqërore, edukuese dhe zhvillimit të bashkësive lokale, publike e kombëtare, të cilat kanë lidhje ose ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi qëllimet e veprimtarisë audiovizive, siç përcaktohet në këtë ligj.

3. Kryetari dhe Zëvendëskryetari i AMA-s janë me kohë të plotë. Paga e Kryetarit, e Zëvendëskryetarit dhe shpërblimi i 5 anëtarëve të tjerë caktohet në përputhje me ligjin nr. 9584, datë 17.7.2006 “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të pavarura të krijuara me ligj”.

 

Neni 10

Zgjedhja e Kryetarit të AMA-s

 

1. Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht Kryetari i AMA-s zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të AMA-s, sipas nenit 9 të këtij ligji.

2. Jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kryetarit të AMA-s, Kuvendi i Shqipërisë publikon shpalljen për vendin vakant të Kryetarit të AMA-s. Çdo shtetas që plotëson kushtet e nenit 7 dhe 8 të këtij ligji mund të paraqitet si kandidat për Kryetar i AMA-s. Kërkesa paraqitet e shoqëruar me dokumentacionin përkatës që provon përmbushjen e kritereve ligjore për anëtar të AMA-s.

3. Lista e kandidatëve i kalon Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për të verifikuar përmbushjen e kritereve të përcaktuara në këtë ligj. Në këtë listë nuk mund të përfshihen ose, nëse janë përfshirë, përjashtohen kandidatët e propozuar për anëtarë të AMA-s, sipas pikës 4 të nenit 9 të këtij ligji. Komisioni, pas verifikimit të kandidaturave, zbaton procedurën si më poshtë:

a) komisioni identifikon katër kandidatët që kanë marrë mbështetjen më të madhe midis anëtarëve të komisionit. Çdo anëtar i komisionit mund të mbështesë deri në katër kandidatë;

b) nëse dy apo më shumë kandidatë gëzojnë të njëjtën mbështetje, përzgjedhja e tyre bëhet me short;

c) përfaqësuesit e pakicës parlamentare në komision përjashtojnë dy nga katër kandidatët e përzgjedhur. Kandidatët e mbetur i kalojnë Kuvendit për votim;

ç) Kryetar i AMA-s zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputeteve të Kuvendit.

Bashkëlidhur modeli i deklaratës që duhet të firmoset nga secili kandidat. 

1.      Vendimi Nr. 11/2019 i Komisionitper shpalljen e vakancës ne AMA

2.      Formular deklarimi përpapajtueshmeritë dhe konfliktin e interesit

3.      Formular vetëdeklarimi

      4.   Formular për dosjet