Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvillon seancë dëgjimore me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Z. Agim Ismaili

  • Postuar më, 15/10/2019

Gjatë mbledhjes së sotme, Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi një seancë dëgjimore me Z. Agim Ismaili, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve lidhur me situatën aktuale në burgje. 

Të ftuar në këtë seancë dëgjimore ishin Z. Agim Ismaili, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, Z. Bardhyl Kaçani, Drejtor i Policisë së Burgjeve, Znj. Blerta Doçi, Përgjegjëse e Sektorit të çështjeve Shoqërore dhe Z. Edis Ibrahimi, Këshilltar i Ministrisë së Drejtësisë. 
Znj. Ermonela Felaj, Kryetare e Komisionit për Sigurinë Kombëtare u shpreh: “I kemi dërguar një kërkesë me shkrim Ministrisë së Drejtësisë për të kuptuar disa nga problemet që ka ky institutcion në lidhje me stafin e policisë së burgjeve apo edhe stafin civil, informacion mbi pagesën e tyre, mbipopullimin në burgje e shumë problematika të tjera. Për të gjitha këto sot po zhvillojmë edhe këtë seancë dëgjimore me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve.”
Nga ana e tij, Z. Ismaili, duke falënderuar Komisionin për Sigurinë Kombëtare për mbështetjen bëri një prezantim të situatës aktuale në burgje. Në fjalën e tij ai tha: “është bërë një punë e madhe për përmirësimin e shumë situatave në burgje. Puna është përqëndruar në disa pika kyçe.
Fondi për uniformat gjatë viteve 2016-2018 ka qenë 58 milionë lekë kurse sot ky fond është dyfishuar në mënyrë që të rritet dinjiteti i punonjësve të policisë së burgjeve, respektimi i të drejtave të njeriut, zbatimi i akteve ligjore, eleminimi i diskriminimit nga “ të fortët” në burgje, përmirësimi i shërbimit mjekësor. Këtu duhet theksuar futja për herë të parë e Checkup-it në këto ambjente. 
Është punuar në drejtim të përmirësimit të godinave të vjetra si edhe ndërtimi i godinave të reja në qytete të ndryshme, përmirësimi i kushteve të brendshme, dhomave, ambjenteve të përbashkëta etj. 
Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë si dhe shkëmbimi i eksperiencave. Janë tejkaluar problemet e dhunës tek të burgosurit. 
Gjatë vitit 2019 në burgjet shqiptare ka rreth 5490 të burgosur dhe mendojmë se problemi i mbipopullimit të burgjeve është një problem që i përket të shkuarës. Është bërë e mundur ndërprerja e lidhjeve me organizatat kriminale jashtë ambjentit të burgut edhe nëpërmjet regjimit të ndërhyrjes së posaçme për të burgosurit problematikë. 
Përfshirja e të burgosurve në aktivitete të ndryshme ka përmirësuar dukshëm sjelljen e tyre pavarësisht se ndodhen në këto ambjente ata konsiderohen si të gjithë njerëzit e tjerë pavarësisht se çfarë kanë bërë. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të rritet siguria jo vetëm në burgje por edhe jashtë tyre.”
Më pas anëtarët e komisionit u drejtuan pyetje të ftuarve dhe diskutuan rreth situatës aktuale në burgjet shqiptare.