Thirrje për aplikim për anëtarë të Bordit Këshillimor të Rrjetit Kombëtar për Edukimin Ligjor të Publikut

  • Postuar më, 15/10/2019

Kuvendi i Shqipërisë, me Vendimin nr.47, datë 18.4.2019, ka miratuar Strategjinë për Edukimin Ligjor të Publikut 2019-2023, pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi. 

Strategjia për edukimin ligjor të publikut synon rritjen e ndërgjegjësimit ligjor publik në Shqipëri, me qëllim që qytetarët të jenë në gjendje të marrin pjesë aktivisht dhe efektivisht në një mjedis social dhe ekonomik të rregulluar ligjërisht. 

Monitorimi i SELP do të kryhet nga Rrjeti Kombëtar për Edukimin Ligjor të Publikut që është  ngritur nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e Kuvendit, dhe që ka në përbërjen e tij përfaqësues të institucioneve më të rëndësishme në nivel qendror dhe vendor, pesë përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile, nga organet e sistemit të drejtësisë si dhe përfaqësues nga fakultetet e drejtësisë. 

Një nga organet e Rrjetit është Bordi Këshillimor, i cili do të përbëhet nga ekspertë dhe akademikë me përvojë në fushën e ELP, dhe ka rol këshillimor në plotësimin dhe përmirësimin e politikave në fushën e edukimit ligjor të publikut. 

Bordi Këshillimor do të ketë në përbërje:

- 3 anëtarë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës;

- 2 ekspertë me përvojë në fushën e edukimit ligjor.

Në përzgjedhje përparësi do t’u jepet kandidatëve që kanë eksperiencë dhe ofrojnë ekspertizë në lidhje me çështjet e edukimit dhe informimit ligjor të publikut.

Të interesuarit për t’u bërë pjesë e kësaj strukture, të paraqesin brenda datës 31 tetor 2019 një letër interesi, të shoqëruar me një CV, në adresën e-mail: ina.jano@parlament.al