Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi një projektligj

  • Postuar më, 18/09/2019

Në drejtimin e kryetares znj.Ermonela Felajj komisioni për Sigurinë Kombëtare mori në shqyrtim Projektligjin " Për një shtesë në ligjin nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, të ndryshuar

I pranishëm në komision për prezantimin e projektligjit ishte z.Petro Koçi, zëvendësministër në ministrinë e Mbrojtjes.

Z. Koçi,shpjegoi se ky projektligj ka si qëllim të bëjë një shtesë në ligjin nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, të ndryshuar, duke përcaktuar ditën e përkujtimit dhe të nderimit të veteranit të LANÇ-it. Gjithashtu z.Koçi  njohu komisionin me arsyet e kërkesës për caktimin e një date zyrtare për përkujtimin dhe nderimin e veteranëve të LANÇ-it. Arsyeja sipas shpjegimit të zëvendësministrit lidhej me vlerësimin në vazhdim te sakrificave dhe kontributit të veteranëve , në çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë.Lidhur me këtë kërkesë zëvendësministri shtoi se: ”Fakti që në 20 Korrik 1957 është krijuar për herë të parë një Organizatë e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare , besoj se është një arsye e qenësishme që në ligjin përkatës të shtohet një paragraf në nenin 7 të tij, I cili vendos  në mënyrë përfundimtare, datën 20 Korrik, si 'Dita e Veteranit" të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare” .

Relatorja e  projektligjit znj. Antoneta Dhima, në fjalën e saj  përshëndeti faktin që ministria e Mbrojtjes vlerëson Luftën Nacionalçlirimtare dhe përcakton datën 20 Korrik si Dita e Veteranit të LANÇ-it. “Në këtë datë” vijoi znj.Dhima  "Organizata e Veteranëve , shoqëria civile, institucionet shtetërore si dhe ato qëndrore e vendore do të organizojnë aktivitete të ndryshme, për nder të veteranëve të luftës”

Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni e miratoi në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.