Kryetarja e KPJ, znj. Kodheli, takim kortezie me ambasadoren kroate në përfundim të mandatit të saj në vendin tonë

  • Postuar më, 09/09/2019

9 shtator 2019

 

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli, pati sot një takim kortezie me ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës së Kroacisë, znj. Sanja Bujas Juraga, në përfundim të mandatit të saj në vendin tonë.

Znj. Kodheli përgëzoi ambasadoren kroate për punën e saj të shkëlqyer dhe kontributin e vyer që ajo ka dhënë në promovimin e vendit të saj dhe zhvillimin e marrëdhënieve të gjithanshme midis Shqipërise dhe Kroacisë.

Ambasadorja kroate tha se ndjehej e privilegjuar që kishte shërbyer në Shqipëri, të cilën e konsideronte jo vetëm si një vend mik, por si partneren më të mirë të Kroacisë.

Më tej, bashkëbisedueset u ndalën  në fushat dhe kalendarin e aktiviteteve të ardhshme, që pritet të zhvillohen në kuadrin e bashkëpunimit midis dy vendeve.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua perspektivës evropiane të Shqipërisë, e konkretisht hapjes së negociatave me BE-në, si dhe marrjes së presidencës së ardhshme të Këshillit të BE-së nga Kroacia dhe rolit që ajo mund të luajë në mbështetje të aspiratave dhe objektivave të vendit tonë.         

Në përfundim të takimit, bashkëbisedueset shprehën bindjen se lidhjet e ngushta midis dy vendeve do të vazhdojnë të forcohen më tej, edhe falë rolit të rendësishëm të parlamenteve, si shprehëse të vullnetit dhe ndjenjave miqësore të dy popujve tanë.