Kryetari i Kuvendit z.Gramoz Ruçi, falenderon Presidentin e Parlamentit Fico.Parlamenti italian, Rezolutë në mbështetje të çeljes së negociatave më Shqipërinë

  • Postuar më, 01/08/2019

Më 19 korrik Komisioni i Punëve të Jashtme dhe Komunitare të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian miratoi një Rezolutë në mbështetje të proçeseve integruese të Shqipërisë dhe çeljes sa më shpejt të negociatave. Me këtë rast, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër falenderimi Presidentit të Dhomës së Deputetëve, z. Roberto Fico, dhe Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Komunitare të Dhomës së Deputetëve. “Dëshiroj tJu falenderoj për Rezolutën “Mbi integrimin e Ballkanit Perëndimor në institucionet euroatlantike”, miratuar njëzëri nga Komisioni i Punëve të Jashtme dhe Komunitare të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës Italiane në datën 19 korrik. Në Rezolutë vlerësohen reformat e ndërmarra nga Shqipëria në kuadrin e përgatitjeve për çeljen e negociatave dhe i rekomandohet qeverisë italiane të mbështesë në mënyrë aktive dhe të fuqizojë rolin e vet si një partner i vëmendshëm në mbrojtje të integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit si edhe të paqes e stabilitetit të Europës dhe Mesdheut." Me këtë rast, dëshiroj të përsëris mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për kontributin që Italia, fqinji dhe partneri ynë i fuqishëm, ka dhënë dhe po jep për integrimin euroatlantik të Shqipërisë dhe të shpreh bindjen në qëndrimin e vendosur të qeverisë italiane në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Gjithashtu, përfitoj nga ky rast për të përsëritur ftesën time për një vizitë zyrtare të Shkëlqesisë Suaj në Shqipëri, në një kohë sa më të afërt dhe në përputhje me agjendën Tuaj.” shkruhet në letrën e falenderimit të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, drejtuar Presidentit të Dhomës së Deputetëve, z. Roberto Fico, dhe Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Komunitare të Parlamentit Italian.