Thirret në interpelancë urgjente ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Besa Shahini

  • Postuar më, 18/07/2019

Një grup prej shtatë deputetësh, i përbërë nga z. Andi Përmeti, z. Alban Zeneli, z. Vasil Sterjovski, z. Artur Roshi, z. Besnik Troplini, z. Arben Elezi dhe z. Eugen Bojaxhi, thirrën në një interpelancë urgjente ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Besa Shahini.

Objekti i interpelancës u zhvillua lidhur me vendimin nr. 295 datë 01.05.2019 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kriterit të notës mesatare për pranimin e kandidatëve në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, ose transferimin e studimeve në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve me institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2019-2020”.

Interpelanca u parashtrua nga deputeti Andi Përmeti i cili kërkoi arsyet e rritjes së mesatares dysheme për ndjekjen e shkollës së lartë, me fuqi prapavepruese përtej parashikimeve ligjore dhe pa konsultim paraprak me grupet e interest.  Në fillim të fjalës së tij, z. Përmeti u shpreh se  vendimi i dalë më datë 10.05.2019, ku ministrja Shahini ka propozuar rritjen e mesatare per fillimin e studimeve bachelor ka kushtëuar dhe lene rreth 10.000 studentë pa arsim të lartë.

Z. Përmeti i drejtoi ministers së Arsimit disa pyetje, ku prej të cilave kërkoi nëse kishte ndonjë reference ndërkombëtare ku ishte bazuar për këtë rritje të mesatares, a nuk është shkelje e të drejtave të njeriut kufizimi i te drejtës së shkollimit për nxënës që kanë mbaruar shkollën e mesme dhe duan të vazhdojnë studimet e larta sepse kanë një mesatare nën atë të përcaktuar subjektivisht nga ministria, etj.

“Pse e lini rininë pa shkollë? E dyta, a është një praktikë ndërkombëtare? A e keni diskutuar me grupet e interesave? A nuk është shkelje e të drejtave të njeriut që një nxënës që s’ka këtë notë mesatare të mos hyjë në shkollë të lartë. Si mundet që qeveria të hyjë në gjithçka?”,- tha ndër të tjera z. Përmeti.

Në përgjigje të pyetjeve, ministrja e Arsimit znj. Shahini deklaroi se nota mesatare për degën e Mësuesisë do të shkojë 8 ndërsa dega e Mjekësisë do të ketë një notë akoma më të lartë mesatare. “Ligji i arsimit të Lartë të vitit 2015 i jep Këshillit të Ministrave tagrin për përcaktimin e një note mesatare. Do e çojmë në 8 notën mesatare për degën e Mësuesisë. Universiteti i Mjekësisë ka vendosur të shkojë përtej vendimit tonë duke vendosur edhe një notë akoma më të lartë mesatare. Kam biseduar me shumë maturantë. I kam njoftuar për vendimin që do merret. Kemi pasur edhe kritika. Miratimi ka qenë nga ata pedagogë që kërkojnë një selektim, ndërsa kritikë kanë qenë ata që mendojnë se do zvogëlohet numri i nxënësve për lëndën e tyre”,- theksoi ndër të tjera ministrja Shahini. Gjithashtu ministrja tha se pas një proceduare të gjatë, tekstet shkollore janë përmirësuar cilësisht. Një pjesë e tyre janë përkthyer nga universitet më të mira të huaja dhe pjesa tjetër është hartuar nga ekspertët më të mirë shqiptar. Nga shtatori, nxënësit do të njihen me tekstet e reja.

Interpelanca vazhdoi me pyetje të tjera dhe përgjigje rreth arsimit universitar po ashtu edhe arsimit pasuniversitar.