Zhvillon punimet Asambleja Parlamentare e OSBE-së. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë takohet me z. Roberto Montella, sekretar i Përgjithshëm i AP-së së OSBE-së

  • Postuar më, 10/07/2019

10 korrik 2019


Në kuadër të punimeve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që po zhvillohen në Luksemburg, sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, z. Genci Gjonçaj, zhvilloi një takim me sekretarin e Përgjithshëm të AP-së së OSBE-së, z. Roberto Montella. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Përfaqësuesi i Përhershëm i OSBE-së pranë Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, z. Andreas Nothelle dhe këshilltari politik, z. Francesco Pagani.

 

Duke e falënderuar për mundësinë e këtij takimi, z. Gjonçaj e uroi z. Montella për rizgjedhjen si sekretar i Përgjithshëm i AP të OSBE-së. Z. Gjonçaj vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen që familja e OSBE-së i ka ofruar instituicioneve shqiptare dhe Kuvendit të Shqipëerisë gjatë gjithë kësaj periudhe, me besimin se ky bashkëpunim do të thellohet  më tej gjatë kryesisë së OSBE-së. Ai theksoi se: “ashtu sikurse procesi i integrimit evropian edhe kryesia e radhës e OSBE-së shërbejnë si instrumenta pozitivë inkurajues për Shqipërinë në rrugën e reformave të brendshme”.

 

Nga ana e tij, z. Montella theksoi se në kuadër të kryesisë shqiptare të OSBE-së, dimensioni parlamentar është gjithashtu i një rëndësie të veçantë përbri rolit të aktorit kryesor, task-forcës. “Shqipëria është në zemrat tona, dhe ne duam të shohim një kryesi të suksesshme për të cilën do të keni mbështetjen e plotë të Assamblesë Parlamentare të OSBE-së. Është e rëndësishme të theksojmë se kryesia nuk duhet të konsiderohet si përgjegjësi e njërës apo tjetrës palë, por është kryesia e vendit tuaj, Shqipërisë,”- tha z. Montella.

 

Diskutimet u ndalën edhe në zhvillimet aktuale në vend, ecurinë e reformës në drejtësi, të punës së komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore. Një fokus i veçantë gjatë takimit iu kushtua edhe bashkëpunimit të Kuvendit të Shqipërisë me Asamblenë, Zyrën e Përfaqësuesit të Përhershëm të Asamblesë në OSBE si dhe mbeshtëtjes dhe kontributit të vazhueshëm të Prezencës së OSBE në Shqipëri si një partner aftat-gjatë i Kuvendit në proceset reformuese dhe integruese.