Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”

  • Postuar më, 10/07/2019

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi një seancë dëgjimore me grupet e interesit lidhur me shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”. Të ftuar nga ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ishin zëvendësministrja znj. Mira Rakacolli, znj. Vjollca Braho Kryeinspektore e ISHSH dhe znj. Antoneta Njehrrena drejtoreshë Juridike. Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ishin prezent Dr. Raul Gonzalez, WHO Representative and Head of Country Office in Albania. Ndërsa përfaqësues nga grupet e interesit ishin z. Përparim Tushaj konsulent i Japan Tobacco International (JTI), z. Armand Pëllumbi përfaqësues i Agna Group, z. Lorent Gordi përfaqësues i Philip Morris International (PMI), znj. Brunilda Bakiri përfaqësuese e British American Tobacco (BAT), z. Fatmir Kazazi konsulent i pavarur i industrisë së duhan-cigareve, etj.

Relatori i këtij projektligji deputeti Andrea Marto, në fjalën e tij u shpreh se ky projektligji ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, sigurimin e mbrojtjes së shëndetit të popullatës nga produktet e duhanit dhe forcimin e rolit monitorues të inspektoratit përgjegjës për shëndetësinë, në lidhje me zbatimin e ligjit për mbrojtjen e shëndetit nga duhani.

z. Raul Gonzales nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se Shqipëria në krahasim me vendet e rajonit qëndron në mes si vend duhanpirës dhe jo në kufijtë e maksimumit dhe minimumit. Gjithash z. Gonzales cilësoi se ligji duhet tju përshtatet nevojave të popullatës.

Në prezantimin e projektligjit, zëvendësministrja Rakacolli u shpreh se projektligji ka një përkufizim shumë të saktë se cilat do të konsiderohen produkte të duhanit dhe cilat do të jenë pjesë që do tju nënshtrohen këtyre sanksioneve që parashikon ky projektligj.

“Gjithashtu në projektligj parashikohet të forcohen masat për promocionin dhe marketimin e duhanit, ku edhe në ligjin e sotëm promocioni për produktet e duhanit është i ndaluar, por ka forma dhe mënyra të ndryshme të tilla që ekzistojnë akoma.”, theksoi znj. Rakacolli.

Pas komenteve e diskutimeve mes anëtarëve të komisionit, përfaqësuesve të ministrisë dhe grupeve të interesit, kryetari i komisionit z. Niko Peleshi e hodhi projektligjin në votim ku u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.