Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi dy seanca dëgjimore

  • Postuar më, 09/07/2019

9 korrik 2019


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, zhvilloi sot seancë dëgjimore me institucionin e Avokaturës së Shtetit, në të cilën ishte i pranishëm z. Artur Metani; si edhe me z. Erjon Braçe, zëvendëskryeministër për administratën publike dhe znj. Albana Koçiu, drejtore e Departamentit të Administratës Publike. Seanca dëgjimore me Institucionin e Avokaturës së Shtetit u zhvillua në kuadër të raportimit vjetor të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane e të Drejtave të Njeriut, për vitin 2018, ndërsa me z. Braçe dhe znj. Koçiu, dëgjesa u zhvillua për politikat në shërbimin civil dhe zbatimin e tyre, nisur nga raporti i Departamentit të Administratës Publike për gjendjen në shërbimin civil për vitin 2018.  


Z. Metani u ndal në raportimin e tij në çështjet si vijojnë: vendimmarrja e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për periudhën janar- qershor 2019; monitorimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së nga Komiteti i Këshillit të Evropës; ekzekutimi i vendimeve të GJEDNJ gjatë periudhës janar-qershor 2019 dhe vendimmarrja e Këshillit Konsultativ të Çështjeve në GJEDNJ. Ndërsa, z. Braçe dhe znj. Koçiu raportuan për komisionin çështje që lidheshin kryesisht me raportin e progresit të vitit 2018 dhe statistika të shërbimit civil dhe masave për përmirësimin e tij duke u ndalur në çështje të tilla si: kuadri ligjor, politikat e menaxhimit të burimeve njerëzore të shërbimit civil dhe zbatimi i tyre në institucionet e administratës shtetërore, reforma funksional-strukturore e institucioneve të administratës publike, ngritja e kapacitetit të burimeve njerëzore, zgjerimi dhe zhvillimi i sistemit informatik të menaxhimit të burimeve njerëzore.