Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi dy projektligje të rëndësishme

  • Postuar më, 09/07/2019

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, të lidhur ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në cilësinë e huamarrësit, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në cilësinë e agjencisë së zbatimit të projektit, dhe KfW Frankfurt Am Main, për financimin e programit të furnizimit me ujë të zonave rurale IV". Të ftuar për këtë projektligj ishin znj. Brikena Jazxhi specialiste pranë Drejtorisë se Borxhit Ministria e Financave dhe z. Leonard Miloti nga FSHZH.

Relatori i këtij projektligji z. Arben Pëllumbi u shpreh se projekti ka si objektiv përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësve dhe të kanalizimeve, nëpërmjet sigurimit të aksesit të qëndrueshëm në furnizimin me ujë të pijshëm për popullsinë permanente dhe turistët në zonën e projektit, me kosto sociale të pranueshme dhe tarifa që i mbulojnë kostot, etj.

Pas komenteve të ndryshme e diskutimeve, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi nga anëtarët e komisionit, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi.

Gjithashtu, po ditën e sotme komisioni shqyrtoi edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10 006, datë 23.10.2008, “Për mbrojtjen e faunës së egër”, të ndryshuar". Të ftuar për këtë projektligj ishte znj. Elvana Ramaj përfaqësuese nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Në fjalën e saj znj. Ramaj tha se ky projektligj e konsideron mbrojtjen e mjedisit si një detyrë të rëndësishme e të përbashkët për të gjithë dhe është i përfshirë në programin e akteve të Këshillit të Ministrave.

Relatori i projektligjit z. Besnik Baraj në prezantimin e projektligjit u shpreh se nëpërmjet këtij projektligji synohet rritja e shkallës së përafrimit me direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian, specifikisht me atë të shpendëve dhe atë të habitateve.

Në fund të diskutimeve, pyetjeve e sugjerimeve të ndryshme, kryetari i komisionit z. Niko Peleshi e hodhi projektligjin në votim ku u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi nga anëtarët e komisionit.