Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore për projektligjin “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”

  • Postuar më, 09/07/2019

 Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot seancën dëgjimore me anëtarë të Asamblesë së Akademisë së Shkencave dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike për projektligjin “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, propozim i një grupi deputetësh. Në   seancën dëgjimore morën pjesë përfaqësues të grupit të deputetëve propozues, Eglantina Gjermeni, Andrea Marto dhe Evis Kushi si edhe zëvëndësministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë Redi Shtino.

Akademikët e ftuar në takim iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve mbi risitë e projektiligjit të paraqitur nga grupi i deputeteve dhe nënvizuan se ky akt është në koherencë me projektin e përgatitur nga grupi i punës të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe i Asamblesë së Akademisë së Shkencave.  Projektligji, i cili është rezultat i një pune gjithëprërfshirëse dyvjeçare,  riformulon misionin dhe funksionet e Akademisë së Shkencave, hap rrugën për ripërtëritjen  e saj, në bashkëpunim me universitetet dhe institucionet kërkimore të vendit, përmirëson funskionim e saj të brendshëm, e hap Akademinë e Shkencave drejt universiteteve dhe institucioneve të tjera akademike e kërkimore, garanton mbështetjen për Akademinë e të Rinjve dhe mbështetjen e veprimtarisë kërkimore të studjuesve e kërkuesve të rinj, si edhe krijon bazën kligjore për hapjen dhe funksionimin e qendrave të reja kërkimore në kuadrin e Akademisë së Shkencave, në bazë të nevojave të vendit.

Anëtarët e Komisonit vlerësuan nismën e Akademisë për tu vetëreformuar dhe përballuar me dinjitet detyrat që shtron zhvillimi aktual ekonomik, shoqëror dhe teknologjik i vendit.

Deputetët anëtarë të Komisionit gjithashtu sugjeruan që projektiligji “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë” të harmonizohet më mirë me legjislacionin në fuqi për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor si edhe kërkuan argumentim më të plotë për mungesën e efekteve financiare të projektligjit.

Seancat dëgjimore do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.