Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi në parim një projektligj dhe zhvilloi një seancë dëgjimore me grupet e interesit

  • Postuar më, 08/07/2019

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, shqyrtoi projektligjin “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”. Të ftuar për prezantimin e këtij projektligji ishin ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirli, znj Merita Xhafaj drejtoreshë e Përgjithshme, znj. Antoneta Njehrrena drejtoreshë juridike, znj. Luneda Sufali drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror dhe znj. Miranda Pashaj drejtoreshë e Ndihmës Ekonomike.

 Gjatë fjalës së saj ministrja u shpreh se ky projektligj vjen për të konsoliduar më tej reformat e nisura sa i përket asaj të ndihmës ekonomike, një reformë e cila është zbatuar në të gjithë vendin, si edhe për t’i hapur rrugë reformave të reja që i përkasin kategorive në nevojë siç janë personat me aftësi të kufizuar, dhe konsolidimit të mëtejshme të programeve të mbrojtjes sociale siç është programi i bonusit të bebes.

“Ligji për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë është hartuar duke pasur parasysh nevojat e individëve, familjeve në nevojë dhe gjithashtu personave me aftësi të kufizuara. Është një ligj i cili bazohet në parimet e solidaritetit, universalitetit, në parimin e mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, në parimin e mbështetjes nëpërmjet mbrojtjes dhe përfshirjes sociale të kategorive në nevojë dhe është një ligj i cili parashikon mënyrat dhe përfitimet të cilat do të kenë individët, familjet në nevojë apo personat me aftësi të kufizuara.”, theksoi ndër të tjera znj. Manastirli.

Pas diskutimeve dhe pyetjeve e përgjigjeve mes anëtarëve të komisionit dhe të ftuarve mbi projektligjin, kryetari i komisionit z. Enver Roshi e hodhi projektligjin në votim i cili u miratua në parim nga anëtarët e komisionit.

Mbledhja vazhdoi me një seancë dëgjimore me grupet e interesit po ashtu sa i përket projektligjit “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”. Të ftuar në këtë seancë për të paraqitur sugjerimet dhe komentet e tyre mbi këtë projektligj ishin z. Dritan Hoxha, znj. Sidita Fortuzi dhe znj. Florida Kalemi përfaqësues nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, z. Abdulla Omuri përfaqësues nga Shoqata e Invalidëve të Punës së Shqipërisë, znj. Iva Plaushku nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, znj. Moza Morina dhe znj. Matilda Tyli përfaqësues nga Avokati i Popullit, znj. Iva Zajmi nga UNICEF, Z. Franc Tahirati dhe znj. Fatjona Caka përfaqësues nga Komuniteti Egjiptian dhe Rom etj.

Të ftuarit diskutuan mbi projektligjin me sugjerime dhe komente të ndryshme sa i përket asistencës sociale.