Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dy marrëveshje.

  • Postuar më, 11/06/2019

Të ftuar në komision për të prezantuar  marrëveshjen, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat dhe kapitalin, ishte z. Niko Lera, Drejtori i Politikave Fiskale, në Ministrinë e Financave, i cili tha se kjo është një marrëveshje standarde dhe Shqipëria ka lidhur rreth 45 marrëveshje të tilla.

Sipas z.Lera, marrëveshje synon të nxisë investimet reciproke dhe këto marrëveshje konsiderohen si pararendëse të investimeve të dy vendeve, si edhe nëpërmjet eliminimit të dyfishtë apo ndarjes së të drejtës së taksimit për të ardhurat dhe kapitalin të krijojmë garancitë e nevojshme, për investitorët potencial.

Relatorja, znj. Evis Kushi sqaroi se rëndësia e këtyre marrëveshjeve po rritet vazhdimisht në kushtet e rritjes së aktiviteteve të biznesit të shoqërive shumëkombëshe dhe në kushtet e rritjes së vazhdueshme të lëvizjes së lirë ndërkombëtare të njerëzve, kapitaleve, mallrave e parave.

Lidhur me  marrëveshjen e  huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (huamarrësi), Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a., (agjencia zbatuese e projektit) dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), për programin e investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike 1”, foli zëvendësministri i Infrastrukturës edhe Energjetikës, z. Ilir Bejtja  sqaroi se programi që do të financohet nëpërmjet kësaj marrëveshje, do të ndihmojnë në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, reduktimin e humbjeve në rrjet, si dhe rritjen e cilësisë dhe të sigurisë së furnizimit me energji elektrike për konsumatorët.

Ndërsa, relatori z. Ervin Bushati tha se programi synon mbështetjen dhe zhvillimin e mëtejshëm në sektorin elektroenergjitik, si një ndër sektorët prioritar për zhvillim e ekonomisë sonë.

“Kostoja totale e programit është 32 milion euro. Kjo kosto do të financohet nga huaja e parashikuar në këtë marrëveshje prej 30 milion eurosh, si edhe një grant prej 2 milion eurosh, që do të përfitohen nëpërmjet një marrëveshje tjetrit me KFË. Granti do të përdoret për financimin e masave  të nevojshme shoqëruese për zbatimin dhe mbikëqyrjen e programit”, tha ai.

Gjithashtu, z. Bushati  falënderoi KFË dhe Republikën Federale të Gjermanisë, të cilët kanë investuar në mënyrë të vazhdueshme, mbi 1 miliard euro në sistemin e energjetik dhe atë të infrastrukturës. “Kjo marrëveshje do të sigurojë financimin e nevojshëm për reduktimin e nivelit të humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes, përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes, rritjen e eficensës së sigurisë në kufizimin e energjisë elektrike për konsumatorin shqiptar. Ajo krijon kushte për të çuar përpara në sektorin energjetik, një ndër sektorët prioritet të ekonomisë”, përfundoi z. Bushati.

Anëtarët e komisionit i miratuar të dyja marrëveshjet në tërësi, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare.