Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi dy projektligje të rëndësishme

  • Postuar më, 10/06/2019

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi ditën e sotme projektligjin  “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Arabisë Saudite, për shërbimet ajrore”. Të ftuar në mbledhjen e sotme ishin z. Artan Shkreli zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Krislen Keri, Drejtor i Përgjithshëm, znj. Lilika Radovicka përgjegjëse Sektori etj.

Relatori i këtij projektligji z. Ardit Konomi u shpreh se përveç Arabisë Saudite, Shqipëria ka marrëveshje të ngjashme me Bashkimin Evropian, por edhe me vende të tjera si me Zvicrën, Kuvajtin etj, ku për arsyet e rëndësishme që parashtron kjo marrëveshje, duhet votuar.

Pas diskutimeve dhe komenteve të ndryshme, anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Gjithashtu, mbledhja e sotme e komisionit shqyrtoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (huamarrësi), Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a., (agjencia zbatuese e projektit) dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), për programin e investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike 1”. Të ftuar për këtë projektligj ishin z. Ilir Bejtja zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi drejtor, znj. Ilda Malile, drejtore në OSHEE etj.

Relatorja znj. Eglantina Gjermeni në prezantimin e këtij projektligji tha se furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike do të përmirësojë jo vetëm cilësinë e energjisë dhe nivelin e humbjeve për qytetarët por do të ketë efekt gjithashtu edhe në përmirësimin e klimës së biznesit dhe kushteve të jetesës në Shqipëri.

“Gjithë investimi është në një nivel të lartë dhe do doja të shprehja konsideratën për qeverinë gjermane për gjithë mbështetjen.”, theksoi znj. Gjermeni.

Pas diskutimeve, kryetari i komisionit z. Niko Peleshi e hodhi projektligjin në votim ku u miratua nga anëtarët e komisionit me shumicë votash në parim, nen për nen dhe në tërësi.