Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dy projektligje dhe një marrëveshje.

  • Postuar më, 06/06/2019

Komisioni për Ekonominë dhe Financat mori sot në shqyrtim  projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar dhe projektligjin “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”.

I ftuar në komision, ishte zëvendësministri i Financave z. Elton Harxhi, i cili tha se dy projektligjet e sipërpërmendura, janë pjesë e paketës së ndryshimeve ligjore, në kuadër të raportit “Moneyval”.

Sipas tij, paketa synon zbatimin e rekomandimeve, dhe përmbushja në një  kohë të shpejtë  e të gjitha mangësive të evidentuara, ka një rëndësi të veçantë sepse kërkon angazhim ndërinstitucional, për të siguruar përputhshmërinë.

 “ Kemi dy ndryshime në këto dy projektligje, së pari, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, instrumentet të cilat adresojnë rekomandimet, janë forcimi i integritetit të sistemit parandalues në vend, siguria në përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare në këtë fushë; zvogëlimi i rreziqeve të pastrimit të  parave dhe financimit të terrorizmit, nëpërmjet politikave të koordinimit dhe bashkëpunimit, parandalimi i hyrjes së produkteve dhe veprave penale; si edhe të fondeve të mbështetjes së terrorizmit  në sektorin financiar ose  zbulimi dhe raportimi i tyre. Amendamentet që përmban ky projektligj janë përpiluar në pasqyrim të gjetjeve të raportit “Moneyval”, në funksion të rritjes së efektivitetit dhe përputhshmërisë të sistemit në parandalimit e financimit të terrorizmit dhe zbatimit në kohë edhe me efektivitet të masave të kërkuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB. Lidhur me projektligjin “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, synon ngritjen e një niveli më të lartë të të gjithë procesin aktual të administrimit të pasurive duke vendosur themele ligjore në procedurën që ndjek agjencia”, - sqaroi z. Harxhi.

 

Ndërsa, relatorja znj. Blerina Gjylameti u shpreh se projektligji“Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, ka qëllim mbrojtjen e sistemit financiar dhe ekonomisë në tërësi, nga kërcënimet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke forcuar integritetin e sistemit parandalues në vend, dhe duke kontribuuar në  paqe dhe siguri.

Znj. Gjylameti theksoi se projektligji nëpërmjet  ndryshimeve të  propozuara, synon përafrimin e plotë në kuadrin ligjor, në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Gjithashtu, znj. Gjylameti tha se ligji ka kaluar në një proces të gjerë të konsultimit publik me të gjitha institucionet përkatëse.

Po sot, komisioni shqyrtoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), për bërjen palë në kuadrin gjithëpërfshirës të projektit ndërkombëtar mbi erozionin e bazës së tatueshme dhe transferimin e fitimit (BEPS)”.

 

Anëtarët e komisionit i miratuan nen për nen, parim, tërësi të dyja projektligjet edhe marrëveshjen, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare.