U nënshkrua marrëveshja midis Kuvendit të Shqipërisë, RTSH-së dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Njerëzve që nuk dëgjojnë (ANAD), për interpretimin e Seancave Plenare në gjuhën e Shenjave

  • Postuar më, 10/05/2019

Kuvendi i Shqipërisë, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm z. Genci Gjonçaj, Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), përfaqësuar nga drejtori i Përgjithshëm z. Thoma Gëllçi, dhe Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që Nuk Dëgjojnë, përfaqësuar nga z. Dorian Sulko, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit, me objekt realizimin e shërbimit të interpretimit në gjuhën e shenjave, të seancave plenare të Kuvendit. Kjo marrëveshje synojn që  njerëzit që nuk dëgjojnë të kenë akses në informacion, në programe dhe edicione lajmesh në televizione të ndryshme. 

Qëllimi i kësaj marrëveshje është të nxisë përfshirjen dhe pjesëmarrjen e personave që nuk dëgjojnë në jetën publike dhe politike në Shqipëri, nëpërmjet komunikimit dhe informacionit, si edhe formateve të aksesueshme. 

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, z. Gjonçaj, gjatë fjalës së tij u shpreh se transparenca dhe rritja e aksesit të qytetarëve në punimet e seancave plenare, të komisioneve, shërbimeve dhe aspektet e tjera të veprimtarisë parlamentare, është aktualisht një prioritet i rëndësishëm i Kuvendit të Shqipërisë. 

“Qëllimi i kësaj praktike të re është t’i sigurojë akses në informacion dhe në jetën publike e politike të vendit, këtij grupi të popullsisë. Pra, nga kjo mundësi do të përfitojnë rreth 39 mijë persona që nuk dëgjojnë. Nisma për të interpretuar seancat plenare në gjuhën e shenjave, sipas një protokolli të përcaktuar, i cili është tashmë i përpunuar në detaje,  dhe që zbaton standardet bashkëkohore, është marrë, dhe sot fillon të zbatohet nga Kuvendi, në përputhje me praktikat më të mira të parlamenteve evropiane.”, theksoi z. Gjonçaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, tha se RTSH e ka detyrim ligjor të përgatisë programe për njerëzit me nevoja të veçanta, siç janë edhe njerëzit që nuk dëgjojnë.

“Kjo marrëveshje është një hap tjetër përpara në drejtim të pasurimit të programeve të RTSH për këtë qëllim. Tashmë, edhe RTSH e Kuvendit në këtë kanal do të jetë edhe gjuhën e shenjave për personat që nuk dëgjojnë.”, tha ndër të tjera z. Gëllçi.

Drejtori i Shoqatës Kombëtare Shqiptare të Njerëzve që Nuk Dëgjojnë (ANAD) z. Dorian Sulko, falenderoi palët për nismën e ndërmarrë dhe realizimin e saj, duke e cilësuar si një shërbim shumë të mirë për njerëzit që nuk dëgjojnë, ku shërbimi i interpretimit është një nga sfidat më të mëdha që ka kjo kategori.

“Ndër qëllimet tona të tjera është të zgjerojmë grupin e interpretëve, rrjedhimisht me zgjerimine  tyre ne do mundemi që këto shërbime të zgjerohen më tej dhe të ofrohen ndoshta një ditë në lidhje direkt me Parlamentin e Shqipërisë.”- u shpreh z. Sulko.



(FJALA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM, Z. GENCI GJONÇAJ,

në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes midis Kuvendit të Shqipërisë, Radio-Televizionit Shqiptar dhe Shoqatës Kombëtare të Njerëzve që Nuk Dëgjojnë, (ANAD) për interpretimin e Seancave Plenare në gjuhën e shenjave)




Përshëndetje, 


Në emër të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi,  ju falenderoj që jemi sot bashkë në mjediset e Kuvendit, shtëpisë së të gjithë qytetarëve, për të plotësuar një premtim, i cili, në fakt, është shndërruar në një objektiv të Kuvendit të Shqipërisë. 

Krijimi i kushteve për ndjekjen e punimeve të seancave plenare për njerëzit që nuk dëgjojnë është një program që po zbatohet nën kujdesin e drejtpëdrejtë të Kryetarit të Kuvendit.

Z. Gramoz Ruçi, për arsye pune, nuk mundi të merrte pjesë në këtë ceremoni, kërkon mirëkuptimin tuaj dhe ju përshëndet të gjithëve.

Transparenca dhe rritja e aksesit të qytetarëve në punimet e seancave plenare, të komisioneve, shërbimeve dhe aspektet e tjera të veprimtarisë parlamentare, është aktualisht një prioritet i rëndësishëm i Kuvendit të Shqipërisë.

Sot jemi këtu për të plotësuar angazhimin tonë për rritjen e transparencës dhe të aksesit të qytetarëve në ndjekjen e punimeve të seancave plenare, për qytetarët me aftësi ndryshe. Konkretisht, për njerëzit që nuk dëgjojnë.

Qëllimi i kësaj praktike të re është t’i sigurojë akses në informacion dhe në jetën publike e politike të vendit, këtij grupi të popullsisë. Pra, nga kjo mundësi do të përfitojnë rreth 39 mijë persona që nuk degjojnë.

Nisma për të interpretuar seancat plenare në gjuhën e shenjave, sipas një protokolli të përcaktuar, i cili është tashmë i përpunuar në detaje,  dhe që zbaton standartet bashkëkohore, është marrë, dhe sot fillon të zbatohet nga Kuvendi, në përputhje me praktikat më të mira të parlamenteve evropiane.

 Shërbimi për këtë grup të veçantë të popullsisë dhe për të cilin nënshkruajmë sot këtë marrëveshje, do të realizohet në partneritet midis Kuvendit, Radio-Televizionit Shqiptar dhe Shoqatës së Njerëzve që Nuk Dëgjojnë. Detyrat në këtë marreveshje janë të ndara, por në funksion e shërbim të të njëjtit qëllim.

Kuvendi është në këtë fazë jo vetëm nismëtari, por ne kete faze edhe financuesi i kësaj mundësie praktike komunikimi me këtë grup qytetarësh. 

Radio-Televizionit Shqiptar, do të realizojë nga ana teknike transmetimin e Seancës.

Shoqata e Njerëzve që Nuk Dëgjojnë, ANAD, do të kontribojë për realizimin e interpretimit në gjuhën e shenjave. Falenderoj shoqatën ANAD për përcjelljen e interesimit dhe të drejtave të dhjetra-mijra anëtarëve të saj, qytetarë të denjë të këtij vendi, dhe njëkohësisht për kontributin e saj në realizimin e këtij bashkëpunimi.

Praktika që nisim sot është vetëm një hap dhe do të pasohet nga mundësi të tjera në drejtim të rritjes së aksesit të qytetarëve, sidomos atyre me aftësi ndryshe, në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë.

Qëllimi ynë final nuk është thjesht dhe vetëm rritja e aksesit te publikut në informacion.  Duke qenë sa më mirë dhe sa më shumë të informuar, do të rritet aksesi i tyre edhe në vendim-marrje. 


Ju Faleminderit!