Ruçi: RTSH të përmirësojë rrënjësisht punën, për plotësimin e detyrimeve ndaj taksapaguesve e qytetarëve

  • Postuar më, 25/04/2019

Sot në seancën plenare, gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të Këshillit Drejtues te RTSH, e mori fjalën edhe Kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruci, i cili me tone të forta kritike kërkoi që RTSH të përmirësojë rrënjësisht punën për pasqyrimin e veprimtarive të Kuvendit, transmetimet në gjuhën e shenjave dhe raportimin ndaj Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, kërkoi gjithashtu që rezolutat e hartuara nga komisionet të pasqyrojnë problemet dhe shqetësimet reale të veprimtarisë së institucioneve.

Më poshtë fjala e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi:

Duke përfunduar çështjen kolegë depute, duke ndjekur raportin, duke parë edhe rezolutën desha të ngrija edhe unë tri çështje:

 Ne jemi këtu përfaqësues të atyre që na kanë zgjedhur dhe ata, nëse na kanë ndjekur në këtë seancë, na shprehin pyetjen: “Ç’raportim e diskutim po bëni ju kur televizioni publik shqiptar ka tetë kanale dhe unë që ju kam çuar në sallën e Kuvendit nuk i ndjek dot ato e ju diskutoni në parlament e flisni për paradat e sukseseve tuaja?”

 Është i vetmi kanal televiziv që taksapaguesit shqiptarë, votuesit e tu dhe të mi ( i drejtohet z. Musa Ulqini, në një komunikim pa mikrofon nga salla), janë aksionerë në financat e TVSH-së.  Prandaj, ne të zgjedhurit e tyre, zgjedhësve tanë u jemi borxhlinj e duhet të përfshihet i gjithë debati, që kemi zhvilluar në komision dhe seancë, e kjo duhej përfshirë në rezolutë.

 E dyta, vërtitet një kanal tjetër, që preku pak znj. Milva: RTSH Kuvendi. Diskutojnë deputetët dhe nuk merakosen për veten e tyre. Kur do të transmetohet Kuvendi në këtë kanal në mënyrë permanente?

Kur? Duke u përsëritur çdo vit kështu?

 E treta, një pjesë e zgjedhësve tanë janë me aftësi të kufizuara. Kërkojnë nga ne se kur TVSH do të mundësojë të ndjekin Kuvendin përmes gjuhës së shenjave? Ndaj, raportimet në Kuvend dhe rezolutat e Kuvendit nuk duhet të jenë të rreme, duhet të jenë efektive, brenda të gjitha shqetësimeve, që kanë njerëzit që na kanë zgjedhur ne këtu.?