Ne mjediset e Kuvendit po zhvillohet, workshop-i “Roli i Kuvendit në Informimin e Publikut dhe Edukimin Qytetar”

  • Postuar më, 24/04/2019

Në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë po zhvillohet workshop-i, tri ditor me teme, “Roli i Kuvendit në Informimin e Publikut dhe Edukimin Qytetar”, një shkëmbim mes Parlamentit zviceran dhe Kuvendit të Shqipërisë i organizuar nga Instituti Demokratik Amerikan (NDI) me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Qëllimi i kësaj veprimtarie të përbashkët është shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira parlamentare në informimin e publikut, edukimin qytetar dhe përfshirjen e qytetarëve. Seminari synon gjithashtu të identifikojë fusha të reja bashkëpunimimi midis shërbimeve parlamentare zvicerane dhe shërbimeve parlamentare shqiptare, në funksion të fuqizimit e modernizimit të këtyre të fundit.  

Në workshop moren pjesë drejtues e përfaqësues të shërbimeve parlamentare të të dy vendeve, të cilët janë të përfshirë në informimin e publikut, marrëdhëniet me publikun dhe edukimin qytetar si edhe në shërbimet në funksion të tyre. I pranishëm ishte dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, z. Genci Gjonçaj, znj. Deborah Kern, Shefe e Sektorit të Qeverisjes dhe e Shëndetësisë , Këshilltarja Rajonale e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, znj. Sascha Müller, Drejtoresha e Institutit Demokratik Amerikan për Shqipërinë, znj. Ana Kadovic dhe personalitete të tjerë nga shërbimet parlamentare të të dy vendeve.


Punimet e workshop-it u hapën nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, z. Gjonçaj, i cili në fjalën e tij përshëndetëse nënvizoi se “Në zbatim të rekomandimeve të Raportit të vitit 2018 të Komisionit Europian për Shqipërinë për të rritur transparencën e Parlamentit si organi më i lartë ligjvënës, Kuvendi ka investuar dhe po investon në rritjen e transparencës dhe të edukimit të publikut.  Në përputhje me rekomandimet e mësipërme, me mbështetjen e Qeverisë Zvicerane, Kuvendi i Shqipërisë është duke nisur zbatimin e projektit  për Parlamentin dhe edukimin qytetar, PACEP, i cili ka për qëllim të formojë qytetarë më të vetëdijshëm dhe të informuar dhe  të mbështesë e të fuqizojë pjesëmarrjen e tyre aktive në proceset vendimmarrëse. Një ndër objektivat e këtij projekti do të jetë forcimi i marrëdhënies së Kuvendit me publikun, me fokus edukimin qytetar. Projekti do të zbatohet me mbështetjen teknike të Institutit Demokratik Amerikan (NDI) dhe OSBE-se, përfaqësuesit e të cilit kanë evidentuar disa nga çështjet, që do të trajtojë gjatë zbatimit të këtij projekti, me qëllim modernizimin e shërbimeve parlamentare informuese dhe edukuese. Pritshmëria jonë është që edukimi publik dhe transparenca të përmirësohen ndjeshëm, për t'iu përgjigjur kërkesave në rritje të mediave dhe shoqërisë dhe kontributi i NDI dhe Parlamentit Zvicerian është një vlerë e shtuar për të adresuar këto çështje. Në mesin e eksperiencave të suksesshme të bashkëpunimit të Parlamentit Zviceran me parlamentet e Mongolisë, Maqedonisë së Veriut, Kamboxhias dhe Tunizisë, shpresojmë të shtohet së shpejti dhe eksperienca me Parlamentin Shqiptar.”


Gjatë ditës së parë të Seminarit u trajtuan çështje që kanë të bëjnë me funskionet kryesore të parlamenteve: ligjbërjen, mbikqyrjen dhe përfaqësimin; organizimin e shërbimeve dhe administratës parlamentare; shërbimet e informimit e të marrëdhënieve me publikun; praktikat për përmirësimin e komunikimit, transparencës, shërbimeve ndaj medias dhe përdorimi i mediave sociale në parlament. Përfaqësues të shërbimeve parlamentare respektive të të dy vendeve bënë një përshkrim të shkurtër të këtyre funksioneve për secilin parlement, të cilat u pasuan nga sesione shkëmbimi mendimesh e diskutimesh nga pjesëmarrësit. Punimet e workshop-it vazhdojnë.