Shërbimet e Kërkimit Parlamentar dhe Bibliotekës së Kuvendit të Shqipërisë aktivitet me rastin e Ditës Botërore të Librit

  • Postuar më, 23/04/2019

Nën kujdesin e Shërbimit të Kërkimit Parlamentar dhe Bibliotekës së Kuvendit të Shqipërisë dhe Fakultetit të Shkencave Shoqërore të "Albanian University", me rastin e Ditës Botërore të Librit dhe përgatitjen për 100-vjetorin e Parlamentit Shqiptar u organizua me studentët tryeza e rrumbullakët me temë: "Biblioteka parlamentare në kuadër të Ditës Botërore të Librit". 

 

Në aktivitet ishin të pranishëm Prof. Dr. Kaliopi Naska dhe studentë të Fakultetit të Shkencave Shoqërore të “Albanian University”.Tryeza u zhvillua në Ditën Ndërkombëtare të Librit për t’i bërë homazh librit dhe autorëve të tij, si dhe për të inkurajuar të rinjtë që të zbulojnë vlerat e të lexuarit.

 

Pjesëmarrësit u njohën me veprimtarinë e bibliotekave parlamentare, si biblioteka të veçanta, misionin e tyre në mbështetje të deputetëve, komisioneve parlamentare dhe stafit të tyre ndihmës me informacionin e nevojshëm për përmbushjen e detyrave gjatë procesit legjislativ.

 

Në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Kuvendit të Shqipërisë me Universitetet për promovimin e punës kërkimore-shkencore, si dhe të festimeve në kuadër të 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, kjo ditë shërben si mesazh sensibilizimi për studentët dhe trupat akademikë për një bashkëpunim të vazhdueshëm me to. Konkretisht, mbështetja e ekspozitës dokumentare “Rregulloret e Parlamentit shqiptar të miratuara në 100-vjet”, e cila do të jetë pjesë e projektit të aktiviteteve të parashikuara nga ky Universitet, është një tregues për fillimin e mbarë të këtij bashkëpunimi.