Entuziasëm në Molise: Kryetari i Kuvendit z.Gramoz Ruçi përuron bustin e Skënderbeut dhe nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Portocannones

  • Postuar më, 15/04/2019

Sot, qyteti arbëresh Portocannone ishte kuq e zi. Kryetari i Kuvendit z.Gramoz Ruçi, i shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste z.Taulant Balla, Kryetarja e Komisionit të Jashtëm dhe Kryetare e Grupit të Miqësisë me Italinë znj.Mimi Kodheli, Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë z.Aldrin Dalipi dhe Ambasadorja e Shqipërisë, në Itali znj.Anila Bitri, vizitoi rajonin Molise, ku përuroi bustin e Skënderbeut dhe u nderua me titullin “Qytetar Nderi”, i Portocannones.

Për të pritur delegacionin shqiptar kishin dalë me qindra banorë të qytetit, autoritete lokale dhe fëmijët e shkollave. Një flamur gjigand kuqezi ishte vendosur në sheshin qendror të qytetit dhe valvitej në duart e dhjetëra  fëmijëve. 

“Është një nder i madh për qytetin tonë të kemi mes nesh për herë të parë një autoritet të lartë shtetëror nga Shqipëria. Dhe këtë respekt na e bëri Kryetari i Kuvendit i Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi”, tha mes entuziasmit dhe duartrokitjeve  Kryetari i Bashkisë, z.Giuseppe Caporicci. Ne i jemi atij thellësisht mirënjohës për nxitjen e lidhjeve dhe bashkëpunimit të katër komunave arbëreshe të rajonit Molise me Shqipërinë dhe për sjelljen mes nesh të bustit të heroit kombëtar të shqiptarëve, Skënderbeut dhe qyteti nderohet duke i dhënë z. Ruçi titullin “Qytetar Nderi”.

Kryetari i Kuvendit, z. Ruçi përuroi bustin e Skënderbeut, vepër e Skulptorit të Popullit z.Mumtaz Dhrami, dhuruar Bashkisë së Portocannones, nga Këshilli i Qarkut Tiranë. Busti i heroit tonë kombëtar, u vendos në hyrje të ndërtesës së bashkisë së qytetit.

Pasi falenderoi kryebashkiakun Caporicci për inisiativën, z. Ruçi nënvizoi se: “Nuk sollëm ne Skënderbeun, por na solli Skënderbeu mes jush dhe na bëri bashkë, Skënderbeu është një figurë e madhe europiane e botërore, për betejat legjendare që udhëhoqi për mbrojtjen jo thjesht të vendit të tij, por të Europës, të frymëzuara nga vizioni i krishtërimit e qytetërimit europian. Thënia e tij e njohur “Lufta ime është lufta juaj”, drejtuar kancelarive dhe aleatëve të pavendosur europianë, përmbante farën e idesë se që para pesë shekujsh, por më shumë, në botën e ardhshme globale, fatet e kombeve, shteteve dhe popujve ishin dhe mbeten të ndërvarur.   Prandaj nuk mund të ketë prosperitet, paqe dhe siguri nëse popujt, kombet dhe forcat progresiste nuk bëhen bashkë kundër të këqijave të kohës.”

Kryetari i Kuvendit z. Ruçi, pasi falenderoi Kryetarin e Bashkisë z. Caporicci  dhe autoritetet lokale për vlerësimin e lartë, nënvizoi se: “Më shumë sesa një vlerësim për rolin tim modest në fuqizimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit midis të dy vendeve tona, midis rajonit Molise dhe qarqeve të Shqipërisë, ky nderim është një frymëzim për të rritur kontributin tim, për të fuqizuar bashkëpunimin midis të dy anëve të Adriatikut, sidomos bashkëpunimin midis qarqeve dhe bashkive të të dy vendeve. Është një përgjegjësi e madhe, por edhe një nder i madh t’i përgjigjesh bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe të dy popujve tanë me përkushtimin, cilësinë dhe rezultatet që meritojnë. Por, unë ju premtoj se, do t’ia arrij ta realizoj këtë mision.”


Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, me rastin e përurimit të bustit të Skënderbeut Portocannone, Rajoni Molise, Itali


I nderuar zoti Kaporiçi, Kryetar i Bashkisë së Portokanones,

Të nderuar përfaqësues të Rajonit Molise,

Të nderuar autoritete dhe përfaqësues të komunitetit arbëresh, 

Zonja dhe zotërinj,

Jam thellësisht i prekur që ndodhemi sot për të përuruar bustin e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, në këtë shesh që mban emrin e tij. 

Dëshiroj të falenderoj Kryetarin e Bashkisë Kaporiçi dhe Këshillin e Bashkisë së Portokanones, për gjestin kuptimplotë të miqësisë dhe vendosjen e bustit të Skënderbeut në këtë shesh.

Shqiptarë e italianë, me arbëreshët si një urë që na bashkon, jemi bërë sot bashkë për të nderuar heroin tonë kombëtar, i cili në betejat e veta gjeti në këtë anë të Adriatikut aleatë të fuqishëm, të qëndrueshëm dhe besnikë, për të mbrojtur jo vetëm dy vendet tona, por krishtërimin dhe qytetërimin europian.

Vitin e kaluar pata nderin e lartë që, së bashku me personalitete të larta të shtetit, kombit dhe kulturës shqiptare të priteshim në një Udiencë të posaçme nga Papa Françesku, në nderim e kremtim të 550 vjetorit të Skënderbeut. Ky ishte një tjetër vlerësim i lartë për kontributin e pashoq të heroit tonë kombëtar për Shqipërinë dhe Europën.

Shpreh mirënjohjen time të thellë për mbështetjen e pakursyer që populli dhe qeveria e Italisë i kanë dhënë e po i japin Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Europës.  

Shpreh bindjen e plotë se kjo mbështetje do të bëhet më e fuqishme gjatë këtyre muajve, kur po punojmë për kurorëzimin me sukses të hapjes së negociatave, siç Këshillli Europian na ka orientuar.

Këtë mbështetje pres edhe në takimet që do të zhvilloj nesër me Presidenten e Senatit Kazelati dhe Presidentin e Dhomës së Deputetëve Fiko.

Të nderuar miq, 

Skënderbeu nuk është thjesht heroi kombëtar i shqiptarëve. Ai është një figurë e madhe europiane e botërore, per betejat legjendare që udhëhoqi për mbrojtjen jo thjesht të vendit të tij, por të Europës, të frymëzuara nga vizioni i krishtërimit e qytetërimit europian. 

Mbi 600 libra janë shkruar në vende të ndryshme të botës për figurën e Skënderbeut.

Skënderbeu ka shërbyer si muzë për të frymëzuar artistë të shquar botërorë, si Rembrandi, Llongfellou dhe Vivaldi.

Ky shesh, nuk është i vetmi që do të mbajë bustin e këtij atleti të Krishtit dhe qytetërimit europian. 

Buste të Skënderbeut ndodhen prej kohësh edhe në Romë, Gjenevë, Londër, Bruksel, Budapest, Krajovë e deri në Miçigan. 

Emrin e Skënderbeut e mbajnë sheshe në Zyrih, Paris, Romë, Shkup e deri në Çikago. 

Skënderbeu, të nderuar miq, përveçse udhëheqës ushtarak e luftëtar, ishte edhe një gojëtar dhe frymëzues i jashtëzakonshëm. 

I pari fjalim i tij, drejtuar qytetarëve të Krujës, “Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta mes jush” i bën jehonë lirisë jo si dhuratë e individit, udhëheqësit apo heroit, por si një vepër e qytetarëve.

I fundit fjalim i tij, testamenti që u la shqiptarëve “S’ka asnjë shtet aq të fuqishëm dhe aq të shëndoshë që të mos shembet, kur i lëshon vendin mërive dhe grindjeve”, i bën jehonë kohezionit kombëtar përballë rreziqeve të përbashkëta. 

Thënia e tij e njohur “Lufta ime është lufta juaj”, drejtuar kancelarive dhe aleatëve të pavendosur europianë, përmbante farën e idesë se që para pesë shekujsh, por më shumë në botën e ardhshme globale, fatet e kombeve, shteteve dhe popujve ishin dhe mbeten të ndërvarur.   

Prandaj nuk mund të ketë prosperitet, paqe dhe siguri nëse popujt, kombet dhe forcat progresiste nuk bëhen bashkë kundër të këqiave të kohës. Dhe çdo kohë, kishte dhe ka rreziqet e saj. 

Së fundi, fjalën time dëshiroj ta mbyll me dy falenderime.

Skulptori i Popullit Mumtaz Dhrami, autori i kësaj vepre të bukur e të hijshme, meriton të gjithë mirënjohjen tonë. 

Por kjo festë shqiptaro-italiane, nuk do të ishte bërë e mundur pa fantazinë, shpirtin krijues dhe energjitë e drejtuesve më të lartë të rajoneve Molize dhe Tiranë, zotërinjtë Donato Toma dhe Aldrin Dalipi, si edhe Kryetarin e respektuar te Bashkisë z. Kaporiçi  të cilët i falendëroj nga zemra për këtë urë historie, miqësie dhe europianizmi që projektuan bashkarisht.

Ju faleminderit të gjithëve.


Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, me rastin e dhënies së titullit Qytetar Nderi i Portocannones, Rajoni Molise, Itali

I nderuar zoti Kaporiçi, Kryetar i Bashkisë së Portokanones,
Të nderuar përfaqësues të Rajonit Molise,
Të nderuar vëllezër komunitetit arbëresh, 
Zonja dhe zotërinj,
Në këtë moment, më lejoni tju drejtohem si bashkëqytetari juaj. 
Jam shumë i prekur dhe thellësisht mirënjohës për nderin e madh që më bëni duke më dhënë titullin e lartë të Qytetarit të Nderit të Portokanones.
Më shumë sesa një vlerësim për rolin tim modest në fuqizimin e marrëdhënieve  të bashkëpunimit midis të dy vendeve tona, midis rajonit Molise dhe qarqeve të Shqipërisë, ky nderim është një frymëzim për të rritur kontributin tim për të fuqizuar bashkëpunimin midis të dy anëve të Adriatikut, sidomos bashkëpunimin midis qarqeve dhe bashkive të të dy vendeve.
Shqiptarët, ashtu si edhe italianët, janë europianë për nga rrënjet, fryma dhe vizioni. Rrënjët tona të përbashkëta kanë prodhuar dhe po rrisin fryte të shëndetshme, prej nga lulëzojnë vlerat qytetëruese europiane.  
Këto rrënjë, popujt tanë i kanë ushqyer gjatë gjithë historisë së tyre, duke pasur si urë lidhëse Arbëreshët dhe kontributin e tyre të shquar në përparimin e atdheut të tyre, Italisë.
Po përmend vetëm disa, duke filluar nga Lekë Matrënga, autorin e një prej librave të parë të letërsisë në gjuhën shqipe, Françesko Krispi, shtetari dhe kryeministri i shquar të Italisë, Gavril Dara i Riu, nga shkrimtarët e parë të Rilindjes shqiptare, Zhozef Dioguardi, politikani amerikan dhe president i "Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane", e deri te albanologët e shquar Françesko Altimari dhe Matteo Mandalà. 
Ndjesë që nuk i përmenda të gjithë.
Është një përgjegjësi e madhe, por edhe një nder i madh t’i përgjigjesh bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe të dy popujve tanë me përkushtimin, cilësinë dhe rezultatet që meritojnë. 
Por unë ju premtoj se do t'ia arrij ta realizoj këtë mision.
Ju faleminderit.