Nënkomisioni “Për të Drejtat e Njeriut”, zhvilloi një seancë dëgjimore me kandidatët për anëtar të CPT

  • Postuar më, 12/04/2019

Nënkomisioni parlamentar “Për të Drejtat e Njeriut”, në bashkëpunim me delegacionin e përhershëm të Kuvendit pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, vijuan procedurën e përzgjedhjes paraprake të kandidaturave për anëtar të Shqipërisë pranë Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Degradues (CPT),

Emrat e kandidatëve që iu përgjigjën thirrjes për shprehje interesi në përfundim të fazës së parë të procedurës për zgjedhjen e anëtarit të Shqipërisë pranë CPT, janë: znj. Arta Mandro e cila është anëtare aktuale e Shqipërisë pranë këtij organi, z. Aurel Bici, znj. Brunilda Menella, znj. Drita Avdyli, znj. Erinda Bllaca Ndroqi, znj. Helena Papa dhe znj. Luljeta Ikonomi Caraoshi.

Në fillim të seancës, nënkomisioni bëri me dije se kandidatja znj. Luljeta Ikonomi Caraoshi ka tërhequr zyrtarisht kandidaturën, ndërsa znj. Helena Papa ka njoftuar në rrugë zyrtare, se ditën e sotme për shkak të angazhimit në një aktivitet për të drejtat e njeriut, të organizuar nga Këshilli i Europës në cilësinë e moderatores, e ka të pamundur pjesëmarrjen në seancën e sotme, ndaj i ka kërkuar nënkomisionit mundësinë e një dëgjese tjetër.

Në kuadër të transparencës dhe forcimit të mekanizmave për të siguruar përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë, morën pjesë institucione dhe organizata që në fushën e veprimtarisë së tyre kanë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe veçanërisht ato që në fokus të veprimtarisë së tyre kanë luftën kundër torturës dhe mbrojtjen e të drejtave të personave të privuar nga liria. Të ftuar ishin përfaqësues nga ministria e Drejtësisë z. Edis Ibrahimi këshilltar i ministrit, znj Bardhylka Kospiri zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, z. Enio Haxhimihali përfaqësues nga Avokati i popullit, znj. Ardiana Hala përfaqësuese nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj, Albana Jorganxhi këshilltare ligjore nga prezenca e OSBE në Tiranë, z. Saimir Vishaj kryetar i shoqatës Avokatët Penalistë, znj. Ardita Kolmarku përfaqësuese nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, znj. Anita Pilika nga Qëndra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës, z. Altin Hazizaj nga CRCA, znj. Ermira Shkurti përfaqësues nga UNICEF Albania etj.

Kandidatët prezantuan në seancë CV e tyre si edhe eksperiencat individuale në këtë fushë.

Më tej anëtarët e komisionit dhe të ftuarit iu drejtuan kandidatëve pyetje të ndryshme. Nënkomisioni do të vijojë procedurën e përzgjedhjes ditën e hënë, datë 15.04.2019, ora 12:00.