Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, drejtoi takimin me 21 institucionet e pavarura. Ruçi shkund institucionet: “Mos u sillni me papërgjegjshmëri të tipit “Më qani pak burrin se unë po shkoj në dasëm! ”

  • Postuar më, 12/04/2019

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, drejtoi takimin me 21 institucionet e pavarura kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj, të cilat raportojnë në Kuvendin e Shqipërisë. Në takim merrnin pjesë edhe Ambasadori i Bashkimit Europian z.Luigi Soreca, Ambasadori i OSBE-së z.Bernard Bochardt dhe përfaqësuesja e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, znj.Jutta Gutzkow.

Tema e mbledhjes ishte përmbushja e rekomandimeve të Rezolutave të Kuvendit, statusi i zbatimit të rekomandimeve të Institucioneve të Pavarura adresuar Qeverisë dhe problematika të konstatuara nga Shërbimi i Monitorimit të Kuvendit, gjatë vitit 2018.

Kryetari i Kuvendit tërhoqi vëmendjen se institucionet nuk i janë përgjigjur detyrimeve dhe afateve ligjore, për të informuar mbi zbatimin e rezolutave. Gjatë vitit 2018, vetëm 8 institucione iu përgjigjën në kohë detyrimeve që u ngarkon Vendimi i Kuvendit dhe Manuali i Monitorimit dhe raportuan në afatet ligjore në komisionet parlamentare. Janë për të raportuar akoma edhe 13 institucione të tjerë.

Midis institucioneve që kanë reaguar dhe raportuar me korrektesë, Kryetari i Kuvendit përmendi Prokurorinë e Përgjithshme,  Institutin e Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të cilët i kanë zbatuar të gjitha rekomandimet e Rezolutave të Kuvendit. Institucionet e tjera kanë mjaft rekomandime të realizuara pjesërisht ose të parealizuara. 

Rezulton se nga 221 rekomandime, janë realizuar plotësisht 139 rekomandime, 72 janë realizuar pjesërisht dhe 10 rekomandime nuk janë realizuar.

Institucionet e pavarura nuk mund të pengojnë dhe as të ngadalësojnë ritmet, forcën dhe rrezen e kontrollit parlamentar. Por edhe komisionet dhe shërbimet e Kuvendit duhet të bëhen më dinamike e  rezultative në punën e tyre dhe të përmirësojnë cilësinë e rekomandimeve që bëhen pjesë e Rezolutave. Rezolutat e Kuvendit nuk ngarkojnë realizimin e objektivave të pamundura dhe as u kërkojnë institucioneve të pavarura të bëjnë çudira. Rekomandimet e tyre konsistojnë thjesht në zbatimin e ligjit dhe rritjen e eficencës së veprimtarinë së institucioneve. Kam kërkuar nga organet e Kuvendit që rekomandimet të jenë më konkrete, më të thelluara dhe me fokus rritjen e llogaridhënien ndaj qytetarit. tërhoqi vëmendjen Kryetari i Kuvendit z.Gramoz Ruçi.  

Në zbatim të nenit 103 të Rregullores së Kuvendit, vitin e kaluar Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar 20 Rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura.

Për vitin 2018, Avokati i Popullit, Autoriteti i Konkurrencës, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, gjatë vitit 2018  kanë dhënë gjithsej 200 rekomandime;  rezultojnë të pa zbatuara 102 rekomandime ose 51 përqind.

Rekomandimet janë dhënë si më poshtë: 130  rekomandime nga Avokati i Popullit,  19  nga Autoriteti i Konkurrencës, 27  nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, 8 nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale,  dhe 16  rekomandime nga Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.

Niveli i zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura  gjatë vitit 2018 rezulton të jetë rreth 40 përqind, pra i pakënaqshëm Kryetari i Kuvendit tërhoqi vëmendjen për shkallën e zbatimit të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilat janë zbatuar në masën 83 përqind, ndërsa 17 përqind e tyre janë ta pazbatuara ose nuk janë pranuar nga institucionet. Institucionet duhet të tregohen më të ndjeshme edhe ndaj rekomandimeve që vijnë nga institucionet e tjera të pavarura. “Ne kemi vendosur afate tu përgjigjemi në kohë qytetarëve dhe nuk ka arsye që institucionet të vonojnë përgjigjet ndaj njeri-tjetri.”, theksoi Kryetari z.Ruçi.

 

Kryetari i Kuvendit porositi që arsyet e kësaj situate të shqyrtohen gjatë raportimit në komisionet parlamentare, duke vazhduar më tej me koordinimin e punës mes institucioneve të pavarura, Kuvendit të Shqipërisë dhe Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin.

Në mbyllje të mbledhjes, Kryetari i Kuvendit tërhoqi vëmendjen në disa çështje prioritare të kontrollit parlamentar që lidhen me zbatimin e detyrave që burojnë nga rezolutat e Kuvendit dhe rekomandimet e institucioneve të pavarura.

Institucionet e pavarura duhet të bëjnë kujdes për ato aspekte të punës së tyre, si edhe të rekomandimeve që lidhen me procesin e integrimit europian. Bashkimi i Shqipërisë me familjen europiane është kërkesë e 95 përqind të shqiptarëve. Por përmbushja e objektivave dhe standarteve për çeljen e negociatave nuk është detyrë vetëm e Qeverisë dhe e Kuvendit, por e të gjithë institucioneve. Institucionet duhet të ndjekin në dinamikë e me përgjegjshmëri fatin e rekomandimeve që bëjnë dhe jo të sillen me papërgjegjshmëri të tipit “Më qani pak burrin se unë po shkoj në dasëm!

Këshilli i Ministrave dhe Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin duhet të klasifikojnë dhe shqyrtojnë me më shumë vëmendje rekomandimet që adresojnë institucionet e pavarura për institucionet qendrore të administratës shtetërore dhe këto të dhëna t’i përcillen periodikisht Kuvendit.

Shërbimi i Monitorimit duhet të evidentojë me përparësi çështjet me ndjeshmëri të lartë publike, për të cilat janë dhënë rekomandime nga institucionet e pavarura dhe të sugjerojë vënien  në lëvizje të mekanizmave të kontrollit parlamentar në Komisionet e Përhershme Parlamentare.

Pasi ekzekutivi të ketë vlerësuar  përmbajtjen e rekomandimeve, të funksionojë ndërveprimi i Kuvendit me Ekzekutivin, në mënyrë që të përmbyllet vlerësimi i cilësisë dhe bazueshmërisë ligjore për rekomandimet e dhëna.

Institucionet e pavarura të riorganizojnë vendosjen e personave të kontaktit, për të shmangur vonesat në përgjigje, nga ana e tyre.

Këshilli i Ministrave të respektojë afatet ligjore të paraqitjes së kandidaturave për vakancat në borde apo këshilla, dokumentacionin shoqërues, njoftimet për përfundimin e mandateve apo emërimeve të reja etj.

Raportimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi statusin e zbatimit të rekomandimeve duhet të jetë më koherent, Kjo, për shkak të rëndësisë që ka, si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik financiar, dhe për shkak se adreson rreth 2000 rekomandime në vit.” përfundoi fjalën e tij Kryetari i Kuvendit z.Gramoz Ruçi.

 

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në takimin me drejtuesit e institucioneve të Pavarura

 

Mirëserdhët në këtë takim.

Vendosa të zhvillojmë këtë mbledhje të përbashkët, për të diskutuar përmbushjen e rekomandimeve të Rezolutave të Kuvendit, statusin e zbatimit të rekomandimeve të Institucioneve të Pavarura adresuar Qeverisë dhe problematika të konstatuara nga Shërbimi i Monitorimit të Kuvendit gjatë vitit 2018.

Nëpërmjet kontrollit parlamentar, Kuvendi synon rritjen e garancive të zbatimit të ligjit; konsolidimin e shtetit të së drejtës; ndërgjegjësimin e organeve të administratës publike në të gjitha nivelet, duke forcuar shërbimet në interes të publikut dhe garantimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarit. 

I.                   Po filloj pa humbur kohë me çështjen e parë: Statusin e përmbushjes së rekomandimeve të Rezolutave të Kuvendit.

Sipas përcaktimeve në Vendimin nr. 134/2018, “Për Manualin e Monitorimit Vjetor dhe Periodik për Institucionet e Pavarura, Kushtetuese dhe të krijuara me Ligj”, në muajin dhjetor institucionet duhet të raportojnë në Kuvend mbi statusin e përmbushjes së rekomandimeve të Rezolutave të Kuvendit.

Tani është koha të vlerësojmë dhe analizojmë si janë zbatuar këto detyrime.

Që në fillim dëshiroj t’ju tërheq vëmendjen se nuk i jeni përgjigjur kërkesës së Kuvendit të datës 14 Janar për të informuar mbi zbatimin e rezolutave, për të cilat jeni të detyruar të ngrini grup pune dhe jo të mjaftoheni me përgjigje,“i kemi zbatuar, nuk i kemi zbatuar“, por u detyrova unë si Kryetar Kuvendi të ndërhyj që ju të përgjigjeni.

Përse duhet të angazhohet Kryetari i Kuvendit për tu kërkuar me shkresë zyrtare 13 institucioneve që të mësohen të kryejnë detyrat e tyre?

Ky është paralajmërimi i fundit që ju bëj për të qenë korrekt me detyrimet tuaja ndaj Kuvendit të Shqipërisë.  Kjo situatë nuk do të tolerohet më.

Institucionet e pavarura nuk mund të pengojnë dhe as të ngadalësojnë ritmet, forcën dhe rrezen e kontrollit parlamentar.

Por edhe komisionet dhe shërbimet e Kuvendit duhet të bëhen më dinamike e  rezultative në punën e tyre dhe të përmirësojnë cilësinë e rekomandimeve që bëhen pjesë e Rezolutave.

Sa prej jush pas marrjes së Vendimit të Kuvendit 134/2018 kanë ngritur grupin e punës për hartimin dhe miratimin e Kodit Etik dhe Rregullat e Sjelljes në Institucionet Tuaja?

Në Kuvend nuk keni përcjellë asnjë informacion në lidhje më këtë detyrim.

Gjatë vitit 2018, vetëm 8 institucione iu përgjigjën në kohë detyrimeve që u ngarkon Vendimi i Kuvendit dhe Manuali i Monitorimit dhe raportuan në afatet ligjore në komisionet parlamentare. Janë për të raportuar akoma 13 të tjerë.

Është e papranueshme që  raportet i dorëzoni në ditën e fundit të afatit ligjor dhe disa prej jush kërkojnë edhe shtyrje afati. Ndërkohë që duhet të filloni të punoni që në Janar për raportin e vitit të shkuar dhe jo të neglizhoni për ditën e fundit.

Në zbatim të nenit 103 të Rregullores së Kuvendit, vitin e kaluar Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar 20 Rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura.

Në vijim të përgjigjeve zyrtare të ardhura nga institucionet, rezulton se nga 221 rekomandime, janë realizuar plotësisht 139 rekomandime, 72 janë realizuar pjesërisht dhe 10 rekomandime nuk janë realizuar.

Midis institucioneve që kanë reaguar dhe raportuar me korrektesë, dëshiroj të përmend Prokurorinë e PërgjithshmeInstitutin e Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të cilët i kanë zbatuar të gjitha rekomandimet e Rezolutave të Kuvendit.

Institucionet e tjera kanë mjaft rekomandime të realizuara pjesërisht ose të parealizuara. 

Këshilli Kombëtar i Radio-Televizionit nuk ka kthyer ende asnjë përgjigje.

KQZ paraqet numrin më të lartë të rekomandimeve të pazbatuara, gjithsej 5 rekomandime. Madje, raporti i këtij institucioni dorëzuar në Kuvend është i paqartë dhe nuk trajton plotësisht të gjitha pikat e rezolutës për të cilën raporton.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka realizuar plotësisht 10 dhe pjesërisht 9 rekomandime.

Enti Rregullator i Ujit ka realizuar plotësisht  7  dhe pjesërisht 12 rekomandime.

Enti Rregullator i Energjisë ka realizuar plotësisht  10, pjesërisht 9 dhe nuk ka realizuar 2 rekomandime.

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka realizuar plotësisht  5  dhe pjesërisht 6 rekomandime.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka realizuar plotësisht  4,  pjesërisht 4 dhe nuk ka realizuar 1 rekomandim.

Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil ka realizuar plotësisht  6  dhe pjesërisht 2 rekomandime.

Banka e Shqipërisë ka realizuar plotësisht  15,  pjesërisht 2 dhe nuk ka realizuar 1 rekomandim.

Agjencia  e Sigurimit të Depozitave ka realizuar plotësisht  5  dhe pjesërisht 1 rekomandim.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare  ka realizuar plotësisht  11  dhe pjesërisht 3 rekomandime.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka realizuar plotësisht  3  dhe pjesërisht 10 rekomandime.

Autoriteti i Konkurrencës ka realizuar plotësisht  5  dhe pjesërisht 1 rekomandim.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit ka realizuar plotësisht  7 dhe pjesërisht 2 rekomandime.

Avokati i Popullit ka realizuar plotësisht  4,  pjesërisht 1 dhe nuk ka realizuar 1 rekomandim. Ndërsa për 2 rekomandime, nuk del e qarte se çfarë ka bërë konkretisht ky institucion për të ndjekur përmbushjen e tyre.

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit ka realizuar plotësisht  7  dhe pjesërisht 2 rekomandime.

Manuali i Monitorimit Vjetor dhe Periodik, duhet të bëhet pjesë e dokumentacionit të punës të Kryetarëve të Komisioneve të Përhershme Parlamentare dhe e deputetëve.

Rezolutat e Kuvendit nuk ngarkojnë realizimin e objektivave të pamundura dhe as u kërkojnë institucioneve të pavarura të bëjnë çudira. Rekomandimet e tyre konsistojnë thjesht në zbatimin e ligjit dhe rritjen e eficencës së veprimtarinë së institucioneve.

Madje, kam kërkuar nga organet e Kuvendit që rekomandimet të jenë më konkrete, më të thelluara dhe me fokus rritjen e llogaridhënien ndaj qytetarit.

II.                Në lidhje me rekomandimet e institucioneve të pavarura për ekzekutivin, në kuadër të Mekanizmit Ndërinstitucional dhe Manualit për Monitorimin, institucionet e pavarura duhet të informojnë Kuvendin çdo tre muaj në lidhje me nivelin e zbatimit të rekomandimeve që i kanë adresuar organeve të administratës publike.

Nga 21 institucione të pavaruara kushtetuese dhe të krijuara me ligj, të cilat i raportojnë Kuvendit, 6 prej tyre adresojnë rekomandime kundrejt organeve të ekzekutivit dhe njësive të varësisë.

Si është situata në këtë aspekt të kontrollit parlamentar?

Institucionet kanë shfaqur vonesa në lidhje me zbatimin e Manualit të Monitorimit dhe raportimeve në Kuvend, përtej afateve të parashikuara nga Manuali.

Ndërkohë, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin, nuk ka përcjellë ende raportin për sa detyrohet nga Mekanizimi i Monitorimit dhe Manuali i miratuar në zbatim të tij. 

Për vitin 2018, Avokati i Popullit, Autoriteti i Konkurrencës, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, gjatë vitit 2018  kanë dhënë gjithsej 200 rekomandime;  rezultojnë të pa zbatuara 102 rekomandime, ose 51%.

Rekomandimet janë dhënë nga secili institucion si më poshtë: 130  rekomandime nga Avokati i Popullit,  19  nga Autoriteti i Konkurrencës, 27  nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, 8 nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale,  dhe 16  rekomandime nga Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil.

Dëshiroj të tërheq vëmendjen në shkallën e zbatimit të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Për periudhën Shtator 2017-Qershor 2018, KLSH ka dhënë:

·         31 rekomandime për ndryshim/ përmirësim legjislacioni, prej të cilave 19 janë zbatuar, 9 janë në proces dhe 3 rekomandime nuk janë zbatuar.

·         1450 masa organizative, prej të cilave 1395 janë pranuar, 742 janë  zbatuar, 473 janë në proces, 180 nuk janë  zbatuar dhe 55 rekomandime nuk janë pranuar.

·         900 masa disiplinore e administrative, prej të cilave 862 janë pranuar, 656 janë zbatuar, 82 janë në proces, 124 janë të pazbatuara dhe 42 rekomandime nuk janë pranuar.

 

Pra,  rekomandimet e KLSH janë zbatuar në masën 83%, ndërsa 17% e tyre janë ta pazbatuara ose nuk janë pranuar nga institucionet.

 

Gjatë vitit 2018 nuk ka përgjigje nga Këshilli i Ministrave për 17 rekomandime të KLSH-së të dhëna gjatë vitit 2017 për disa ministri.

Institucionet duhet të tregohen më të ndjeshme edhe ndaj rekomandimeve që vijnë nga institucionet e tjera të pavarura. Për shembull, Enti Rregullator i Ujit nuk ka realizuar 5 rekomandime të Komisionit të Konkurrencës. Situata të tilla ka edhe midis institucioneve të tjera.

Niveli i zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura  gjatë vitit 2018 rezulton të jetë rreth 40%, pra i pakënaqshëm.

Arsyet e këasj situate do të shqyrtohen me institucionet e pavaruara gjatë raportimit në komisionet parlamentare, duke vazhduar më tej me koordinimin e punës mes Institucioneve të Pavarura, Kuvendit të Shqipërisë dhe Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin.

 

III.             Në mbyllje dëshiroj të tërheq vemendjen në disa çështje prioritare të kontrollit parlamentar që lidhet me zbatimin e detyrave që burojnë nga rezolutat e Kuvendit dhe rekomandimet e institucioneve të pavarura.

 

·         Këshilli i Ministrave dhe Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin duhet të klasifikojnë dhe shqyrtojnë me më shumë vëmendje rekomandimet që adresojnë institucionet e pavarura për institucionet qendrore të administrates shtetërore dhe këto të dhëna t’i përcillen periodikisht Kuvendit.

·         Shërbimi i Monitorimit duhet të evidentojë me përparësi çështjet me ndjeshmëri të lartë publike, për të cilat janë dhënë rekomandime nga institucionet e pavarura dhe të sugjerojë vënien  në lëvizje të mekanizmave të kontrollit parlamentar në Komisionet e Përhershme Parlamentare.

·         Pasi ekzekutivi të ketë vlerësuar  përmbajtjen e rekomandimeve, të funksionojë ndërveprimi i Kuvendit me Ekzekutivin, në mënyrë që të përmbyllet vlerësimi i cilësisë dhe bazueshmërisë ligjore për rekomandimet e dhëna.

·         Kërkoj nga institucionet e pavarura të riorganizojnë vendosjen e personave të kontaktit, për të shmangur vonesat në përgjigje nga ana e tyre.

·         Institucionet e pavarura duhet të njoftojnë Shërbimin e Monitorimit për çdo aktivitet, për të siguruar pjesëmarrjen e Shërbimit të Monitorimit në to.

·         Këshilli i Ministrave të respektojë afatet ligjore të paraqitjes së kandidaturave për vakancat në borde apo këshilla, dokumentacionin shoqërues, njoftimet për përfundimin e mandateve apo emërimeve të reja etj.

·         Së fundi, kërkoj që raportimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi statusin e zbatimit të rekomandimeve duhet të jetë më koherent, Kjo, për shkak të rëndësisë që ka, si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik financiar, dhe për shkak se adreson rreth 2000 rekomandime në vit.

Këto ishin disa çështje që mendova të ndaj me ju  mbi përmbushjen e rekomandimeve të Rezolutave të Kuvendit, dhe shkallën e zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura adresuar Qeverisë.

Ju faleminderit.