Zhvillohet takimi i radhës i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian

  • Postuar më, 10/04/2019

Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, në drejtimin e Zv. Kryetarit Z. Taulant Balla, zhvilloi takimin e radhës ditën e mërkurë, datë 10.04.2019. Ky takim u përshëndet edhe nga Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Z. Knut Fleckenstein. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Z. Luigi Soreca dhe Ambasadori Rumun në Shqipëri, Z. Mircea Perpelea.

Takimi kishte si tematika kryesore ecurinë e reformës në drejtësi dhe veprimtarinë e institucioneve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, si edhe rolin e shoqërisë civile në procesin e integrimit europian, dhe përfshirja efektive e saj në vendimmarrjen publike.

Z. Balla në fjalën e tij theksoi se zhvillimet pozitive në zbatimin e reformës në drejtësi tregojnë se reforma po jep rezultate dhe se Shqipëria është në rrugën e duhur drejt krijimit të një sistemi drejtësie eficient e të paanshëm, i lirë nga çdo ndikim nga politika apo nga çdo forcë tjetër e jashtme.

 

Referuar rolit të shoqërisë civile në vendimmarrje, Z. Balla e vlerësoi angazhimin e shoqërisë civile në çështjet e integrimit europian si thelbësor për promovimin e debatit konstruktiv në mbikqyrje të reformave integruese të vendit. Një shoqëri civile e fuqizuar është një komponent i rëndësishëm i çdo sistemi demokratik, dhe për këtë synojmë të konsolidojmë konsultimin me aktorët e shoqërisë civile si pjesë e një politike gjithëpërfshirëse dialogu, theksoi ai.

Arritjet e rëndësishme në reformën në drejtësi u vlerësuan edhe nga Z. Fleckenstein i cili vlerësoi gjithashtu edhe përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e integrimit nëpërmjet angazhimit të tyre në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian.

Ecuria dhe progresi i bërë në Reformën në Drejtësi u prezantua në mënyrë të detajuar nga Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj dhe Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Z. Ulsi Manja.

Gjithashtu, anëtarët dhe të ftuarit e përhershën në Këshillin Kombëtar të Integrimit u njohën me veprimtarinë e institucioneve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, nga drejtuesit e këtyre institucioneve: Z. Ardian Dvorani, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Z. Gent Ibrahimi, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Z. Erjon Muharremaj, Anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Roli i shoqërisë civile në procesin e integrimit europian, dhe përfshirja efektive e saj në vendimmarrjen publike, u prezantuan nga Z. Blendi Dibra, nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile, dhe Znj, Zana Vokopola, anëtare e shoqërisë civile në Këshillin Kombëtar të Intgerimit Europian.

Në këtë takim u vendos edhe rihapja e thirrjes për aplikime për rinovimin e anëtarësisë së organizatave të shoqërisë civile në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian.