Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi një seancë dëgjimore dhe miratoi një projektvendim

  • Postuar më, 10/04/2019

10 prill 2019

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, miratoi në mbledhjen e sotme projektvendimin “Për strategjinë e edukimit ligjor të publikut në Republikën e Shqipërisë” dhe zhvilloi seancën dëgjimore për raportimin e Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për veprimtarinë e vitit 2018.

E pranishme në komision për të paraqitur raportin e veprimtarisë vjetore të vitit 2018 ishte kryetarja e Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, znj. Gentiana Sula. Znj. Sula raportoi se gjatë vitit 2018 janë zhvilluar 68 mbledhje, në të cilat janë marrë 482 vendime, janë verifikuar 463 kandidatë dhe zyrtarë, 184 kërkesa për qëllime rehabilitimi dhe dëmshpërblimi, 612 aplikime individuale, 172 kërkesa studimore dhe mediatike, 82.150 faqe të vëna në dispozicion në 2018. “Mes sfidave të ardhshme mbetet plotësimi i strukturës së miratuar nga Kuvendi. Aktualisht, Autoriteti i kryen funksionet e veta me 50% të stafit, fakt që na përball me radhë të gjata, rrit kohën e pritjes për marrje shërbimesh dhe ndikon proceset tona të përditshme të punës”,- u shpreh në komision znj. Sula. Kryetarja e Autoritetit u ndal në fjalën e saj edhe në raportimin mbi realizueshmërinë e rekomandimeve të dhëna nga Kuvendi përmes rezolutës së për veprimtarinë e vitit 2017.  Në emër të komisionit, z. Adnor Shametaj, prezantoi draftrezolutën për vitin 2018, miratimi i së cilës do të reflektojë në një moment të dytë edhe vërejtjet dhe sugjerimet e paraqitura nga anëtarët e komisionit përgjatë fazës së diskutimeve dhe pyetjeve.

Komisioni miratoi në mbledhjen e sotme edhe projektvendimin “Për strategjinë e edukimit ligjor të publikut në Republikën e Shqipërisë”, për diskutimin rreth të cilës ishin të pranishëm në komision përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Marrëdhënieve me Parlamentin, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe grupi i punës nga Qendra A.L.T.R.I.