Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi në Konferencën e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të BE në Vjenë

  • Postuar më, 08/04/2019

Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi në Konferencën e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të BE në Vjenë

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, merr pjesë  në Konferencën e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të BE, e cila zhvillohet në Vjenë, në 8-9 prill.

Konferenca trajton politikat e zgjerimit si edhe përballimin e sfidave të zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin Europian.

Në fjalën e tij në Konferencë z. Ruçi ofroi disa argumente që mbështesin vijimin e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, më specifikisht me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. 


Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen e popullit shqiptar për mbështetjen që BE dhe të gjitha vendet anëtare vazhdojnë t’i japin Shqipërisë për kryerjen e reformave të thella në kuadrin e integrimit evropian.

“Integrimi Europian është e vetmja rrugë për  Shqipërinë, pa asnjë alternativë tjetër. Ne nuk kemi plan B.

Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në adresimin e pesë prioriteteve kyçe të përcaktuara nga Këshilli Europian, veçanërisht në reformimin e sistemit të drejtësisë, procesin unik e të guximshëm të Vetting-ut,  luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve ilegale dhe në dekurajimin e kërkesave për azil të qytetarëve shqiptarë në vendet e BE. 

Prandaj  kam besim se edhe raporti i këtij viti i Komisionit do të jetë pozitiv. 

Zgjerimi duhet të mbetet një atu e pandryshuar e Bashkimit Europian, nje investim për paqen, sigurinë e stabilitetin e të gjithë kontinentit tonë.

Ngadalësimi i procesit mund të krijojë hapësira që mund të shfrytëzohen nga aktorë të tjerë që synojnë të rrisin ndikimin e tyre politik, ekonomik dhe kulturor në Ballkanin Perëndimor, të dëmtojnë stabilitetin dhe të devijojnë perspektivën e tij europiane. Nuk mund ta fshehim që tashmë ka një prezencë të shtuar të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Ne besojmë te vlerësimi pozitiv për Shqipërinë, bazuar në arritjet tona dhe shpresojmë që meritat e njëjta të shpërblehen me vlerësime e vendime të njëjta për vendet me rezultate të njejta.”, ” theksoi Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi.

(Fjala e z. Gramoz Ruçi në Konferencën e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të BE

Vjenë, 8 prill 2019

"Të nderuar kolegë,

Si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, do të doja të ndaja me ju shumë shkurt disa argumente që mbështesin vijimin e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më specifikisht vijimin e procesit të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Së pari, shpreh mirënjohjen e popullit shqiptar për mbështetjen që BE dhe të gjitha ju, vendet anëtare, i keni dhënë dhe vazhdoni t´i jepni Shqipërisë dhe rajonit tonë për kryerjen e reformave të thella në kuadrin e integrimit evropian.

Mbështetja juaj  ka pasur efekte të fuqishme transformuese politike, ekonomike dhe shoqërore për ne. Në fakt, i tillë është procesi i integrimit Europian, një proces transformues dhe për ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, është e vetmja rrugë, pa asnjë alternativë tjetër. Ne nuk kemi plan B.

Këshilli Europian në Qershor 2018, pasi shqyrtoi propozimin pozitiv të Komisionit për fillimin e bisedimeve për anëtërësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përcaktoi disa detyra, të cilat tashmë janë përmbushur.

Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në adresimin e pesë prioriteteve kyçe të përcaktuara nga Këshilli, veçanërisht në reformimin e sistemit të drejtësisë, procesin unik e të guximshëm të Vetting-ut,  luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve ilegale dhe në dekurajimin e kërkesave për azil të qytetarëve shqiptarë në vendet e BE. Më lejoni të përmend se Reforma në Drejtësi që Shqipëria po implementon me sukses është tashmë një model edhe për vendet e tjera të rajonit.

Shqipëria ka hedhur gjithashtu hapa të qëndrueshëm që lidhen me kapitujt më të vështirë të negociatave, 23 dhe 24.

Po ashtu, Shqipëria ka marrë përgjegjësitë që i takojnë si vend Europian në bashkë-menaxhimin e krizës së emigrantëve. Ne kemi pritur dhe jemi kujdesur në kampet tona vetëm gjatë vitit të kaluar për 6,000 emigrantë nga vendet në konflikt.

Më lejoni këtu që të përgëzoj Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, kolegët VUTSIS dhe XHAFERRI, për Marrëveshjen historike të Prespës.

Prandaj unë kam besim se edhe raporti i këtij viti i Komisionit do të jetë pozitiv.

Kolegë, fillimi i bisedimeve për anëtarësim nuk është anëtarësim, por pikësëpari është një mundësi që ju, BE dhe vendet anëtare, të monitoroni e vlerësoni më mirë dhe më strikt vendet tona. Procesi i negociatave për anëtarësim është shumë i gjatë, i bazuar tërësisht në meritën e çdo vendi.

Zgjerimi duhet të mbetet një atu e pandryshuar e Bashkimit Europian, sikurse dhe thellimi apo reformimi, dhe se zgjerimi nuk do të thotë vetëm shtim i vendeve anëtare, por investim për paqen, sigurinë e stabilitetin e të gjithë kontinentit tonë.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ngadalësimi i procesit mund të krijojë hapësira që mund të shfrytëzohen nga aktorë të tjerë që synojnë të rrisin ndikimin e tyre politik, ekonomik dhe kulturor në Ballkanin Perëndimor, të dëmtojnë stabilitetin dhe të devijojnë perspektivën e tij europiane. Nuk mund ta fshehim që tashmë ka një prezencë të shtuar të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, sikurse ka dhe dyshime për financime të paligjshme të partive politike të caktuara.

Por, siç ju thashë më lart, ne kemi vetem një plan A, atë të vijimit të reformave që na bëjnë një vend të denjë për të qenë pjesë e BE. Prandaj dyert e BE duhet të jenë të hapura për Ballkanin Perëndimor.

Ne besojmë te vlerësimi juaj, bazuar në arritjet tona dhe shpresojmë që meritat e njëjta të shpërblehen me vlerësime e vendime të njëjta për vendet kandidate. Ju jeni tashmë në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet Europiane të 23-26 Majit, nga të cilat shpresojmë të dalë përsëri një Parlament Europian me një shumicë bindëse pro zgjerimit.

Së fundi, dëshiroj të shtoj edhe dy argumente të tjera.

Shqipëria është i vetmi vend në rajonin tonë që ka një harmonizim 100% të politikës së saj të jashtme me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Shqipëria ka pasur, ka dhe do të ketë një rol proaktiv në zhvillimin,  bashkëpunimin, stabilitetin dhe paqen në rajon.  

Të gjitha sondazhet tregojnë se rreth 95 % e shqiptarëve mbështesin perspektivën europiane të Shqipërisë. Në emër të tyre jam sot këtu për të kërkuar mbështetjen tuaj.

Ju faleminderit.")