Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, mori pjesë në Sesionin e 140 të Unionit Ndërparlamentar në Doha. Takohet me Emirin e Katarit

  • Postuar më, 07/04/2019


Gjatë ditës së dytë të qëndrimit në Katar, më 6 prill, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi dhe delegacioni parlamentar shqiptar morën pjesë në Sesionin e njëqind e dyzetë të Unionit Ndërparlamentar, i cili zhvillon punimet në kryeqytetin e Katarit, Doha. Sesioni mblodhi së bashku anëtarë nga më shumë se 170 parlamente të botës, nën moton: “Për Demokracinë, për këdo”.

 

Para fillimit të Sesionit, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi dhe kryeparlamentarët pjesëmarrës, zhvilluan një takim me Lartmadhërinë e Tij Sheik Tamim Bin Hamad Al Thani, Emir i Shtetit të Katarit.

 

Unioni Ndërparlamentar është organizata ndërkombëtare më e madhe parlamenteve, e krijuar në vitin 1889. Si qendra e dialogut parlamentar në shkallë globale, Unioni punon për paqen dhe bashkëpunimin midis popujve dhe forcimin e demokracisë përfaqësuese, në bashkëpunim të ngushtë me OKB-në, me të cilën organizata ndan të njëjtat objektiva.

 

Unioni Ndërparlamentar aktualisht është fokusuar në fuqizimin e parlamenteve, për t’i bërë degët e pushtetit legjislativ sa më përfaqësues dhe transparentë; konsolidimin e  barazisë gjinore dhe krjimin e kushteve për respektimin e të drejtave të grave; mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që janë shtylla kryesore e një shoqërie të drejtë dhe ndër detyrat kryesore të deputetëve si përfaqësues të popullit; zhvillimin e qendrueshëm dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë.

 

Sesioni i 140 i IPU-së ka në axhendë përpjekjet e parlamentarëve për garantimin e paqen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, rolin e tregtisë së drejtë e të lirë dhe të investimeve në arritjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm, barazisë ekonomike, infrastrukturës së qëndrueshme, industrializimit dhe inovacionit.

 

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci mori pjesë në Debatin e Përgjithshëm mbi temën “Parlamentet si platformë për të rritur edukimin për paqen, sigurinë dhe sundimin e ligjit”.

 

Gjatë pjesëmarrjes në Asamblenë e Unionit Ndërparlamentar në Doha, delegacioni shqiptar zhvilloi takime me delegacione të parlamenteve të vendeve të ndryshme. Tema e bisedave ishte në tërësi bashkëpunimi ndërparlamentar, ndërsa në veçanti me deputetë të vendeve anëtare të BE-së, si Gjermania, Italia, Rumania, Greqia etj.,u shkëmbyem mendime dhe u ndanë informacione mbi hapat e hedhura nga Shqipëria në procesin e integrimit Europian.