Prezantohet në komisionin për Ekonominë dhe Financat raporti vjetor i Autoritetit të Konkurrencës. Komisioni miratoi edhe një projektligj

  • Postuar më, 19/03/2019

19 mars 2019


Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e kryetarit, z. Arben Ahmetaj, u njoh sot me raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2018. Në mbledhjen e sotme komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2017 për projektin “Zhvillim i qëndrueshëm i zonave rurale””.

E pranishme në komision për prezantimin e raportit vjetor për vitin 2018 të Autoritetit të Konkurrencës ishte znj. Juliana Latifi, kryetare e autoritetit. “Aktiviteti ynë ka qenë shumëdimensional. Ai është materializuar në një numër të konsiderueshëm vendimesh të marra nga ana e Komisionit të Konkurrencës, organit vendimmarrës të Autoritetit. Më konkretisht, gjatë vitit 2018 u morën 87 vendime, ose thënë ndryshe dy herë më shumë se në vitin 2017. Në mënyrë të përmbledhur, vendimmarrja ka konsistuar në një sërë gjetjesh në formën e rekomandimeve, autorizimeve, vlerësimeve ligjore, masave të përkohshme përfshirë dhe vendimet e natyrës penalizuese”,- u shpreh kryetarja Latifi, që gjithashtu theksoi në fjalën e saj se gjatë vitit 2018 u vendosën 6 gjoba, vlera e të cilave shkon në 3.5 herë më e lartë se buxheti i institucionit.

“Autoriteti ka arritur të adresojë të gjithë rekomandimet e lëna, nga ku duhet veçuar monitorimi në vazhdimësi i aktivitetit të ndërmarrjeve, që u janë dhënë nga shteti të drejta ekskluzive dhe të veçanta, për të evidentuar dhe shmangur situatat monopolistike”,- tha znj. Latifi lidhur me rezolutën “Për vlerësimin e Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2017”, përmes së cilës Kuvendi i jepte disa rekomandime autoritetit. “Autoriteti do të mbetet një avokat i përkushtuar i konkurrencës së lirë dhe interesave të konsumatorit duke besuar se vetëm në këtë mënyrë do të përmbushë synimin final për më shumë zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë”,- mbylli fjalën e saj kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës. Znj. Latifi iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të komisionit për çështje të caktuara.

Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2017 për projektin “Zhvillim i qëndrueshëm i zonave rurale”” në komisionin e Ekonomisë dhe Financave e prezantoi zëvendësministrja e Bujqësisë, znj. Ermira Gjeçi. Komisioni dha dakordësinë e tij në parim, nen për nen dhe në tërësi. Lidhur me raportin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2018, komisioni do të përgatisë një projektrezolutë.