Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi një projektligj të rëndësishëm

  • Postuar më, 19/03/2019

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I””. Të ftuar për këtë projektligj ishin z. Ilir Bejtja zëvendësministër i Energjisë dhe Infrastrukturës, z. Agim Bregasi drejtor dhe znj. Ilda Malile drejtoreshë në OSHEE.

Relatorja e projektligjit znj. Eglantina Gjermeni tha se ky projektligj synon ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I” , nëpërmjet të cilës qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë i jep mundësi Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të marrë një kredi të butë dhe një shumë financimi nga KFV-ja për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”.

Gjatë prezantimit të projektligjit, zëvendësministri z. Bejtja u shpreh se marrëveshja është në kuadrin e bashkëpunimit ndërqeveritar me qeverinë gjermane dhe si protokoll është firmosur në vitin 2016.

“Targetet sipas planit të rikuperimit financiar që ne kemi pasur kanë qenë të lidhura me nivelin e humbjeve, pra duhej të zbrisnin nga 26% dhe ne sot jemi 24%, dhe arkëtimet ishin më shumë se 87% dhe ne sot i kemi 92%. Pra bëhet fjalë për arkëtimet koherente. Në këtë kuadër, çdo investim do të jetë i lidhur me targete për tu përmbushur dhe do të shkojë në mënyrë eksplicite në projekte të cilat vlerësojnë akoma përsëri grafikun e uljes së humbjeve dhe të rritje së arkëtimeve në zona.”- theksoi ndër të tjera z. Bejtja.

Projektligji kaloi në diskutime dhe komente nga anëtarët e komisionit, ku më pas u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.