Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi një projektrezolutë dhe një projektligj

  • Postuar më, 18/03/2019

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektrezolutën "Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Entit Rregullator të Ujit për vitin 2018". Relatori i projektrezolutës z. Arben Pëllumbi u shpreh se gjatë vitit 2018 deri në fund të tij, si rezultat i reformës vihet re një përmirësim i rritjes financiare të sektorit ujësjellës kanalizime, arkëtimeve të debive të prapambetura etj.

“Reforma territoriale e ndjekur nga reforma për ujësjellës kanalizime i ka dhënë më shumë kompetenca bashkive përmes një Bashki një Ujësjellës, duke rritur mundësine e përmirësimit të këtij shërbimi.”, theksoi z. Pëllumbi.

Pas diskutimeve, kryetari i komisionit z. Niko Peleshi, hodhi në votim projektrezolutën me ndryshimet sipas propozimeve të deputetit z. Ilir Beqja, ku u miratua nga anëtarët e komisionit.

Çështja e dytë e mbledhjes së sotme ishte shqyrtimi i projektligjit "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet, Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për Bashkëpunimin Teknik 2017 për projektin “Zhvillim i qëndrueshëm i zonave rurale”". Të ftuar për këtë projektligji ishin përfaqësues nga ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Pjerin Shoshi, drejtor i Programeve te Zhvillimit te Bujqësisë Sigurisë Ushqimore dhe Zhvillimit dhe znj. Edlira Ilango drejtoresha juridike në ministri.

Gjatë fjalës së tij z. Shoshi tha se projekti prej 2 milionë eurosh nga qeveria gjermane konsiston në vazhdimin e projektit të mëparshëm që GIZ ka mbështetur qeverinë shqiptare dhe ministrinë e Bujqësisë.

“Ky projekt është bazuar më së shumti në rritjen e asistencës teknike dhe rritjes së kapaciteteve për ministrinë e Bujqësisë dhe institucioneve të varësisë së saj.” cilësoi ndër të tjera z. Shoshi.

Pas diskutimeve dhe komenteve, ky projektligj u miratua nga anëtarët e komisionit në parim, nën për nen dhe në tërësi.