Mbahet sesioni i XI i parlamentit të grave të vendeve të Ballkanit Perëndimor

  • Postuar më, 08/03/2019

8 mars 2019

U mbajt në parlamentin e Malit të Zi sesioni i X i parlamentit të grave të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gratë shkëmbyen përvojat dhe angazhimet e parlamenteve të tyre në lidhje me barazinë gjinore në procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Te pranishme ne kete aktivitet ishin Zevendeskryetarja e Kuvendit te Shqiperise, znj. Vasilika Hysi dhe znj. Senida Mesi, deputete dhe zevendeskryetare e komisionit per Integrimin.

Në fjalën e saj,  zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë nënvizoi angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë në promovimin e barazisë gjinore, rritjet e ndjeshmërisë gjinore në hartimin ligjeve, kontrollin parlamentar dhe rritjen e angazhimit për të forcuar buxhetim gjinor.

Znj. Hysi theksoi se Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dy rezoluta me rëndësi: rezolutën që dënon dhunën kundër grave dhe vajzave dhe rritjen e efektivitetit të mekanizmave ligjore për parandalimin e tyre" dhe një plan konkret veprimi për zbatimin e rezolutës dhe Rezolutën për angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë lidhur me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, Agenda 2030.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit u shpreh se Aleanca e Grave Deputete dhe Aleanca e Deputetëve "Miqtë e Fëmijëve" janë një mundësi e mirë për të adresuar çështje që lidhen me gratë dhe vajzat.  “Përmirësimet ligjore për barazinë gjinore, forcimin ekonomik të gruas dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje kanë rëndësi,por nuk janë të mjaftueshme”,- shtoi ajo, duke vijuar: “Përmirësimet në ligjin për parandalimin e dhunës në marrëdhëniet familjare,  të miratuar në 2018, miratimi i ligjit të strehimit social në vitin 2018, miratimi i ligjit për ndihmën juridike të garantuar nga shteti janë nisma mjaft të mira për barazinë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të disa grupeve sociale, përfshirë edhe gratë,  por zbatimi dhe buxhetimi I mjaftueshëm të tyre duhet të jetë më shumë në vëmendje të Parlamentit”.

Për znj. Hysi, zbatimi i ligjeve të miratuara, buxheti gjinor dhe monitorimi i tij, forcimi i Mekanizmit Kombëtar Gjinor, rritja e fokusimit te çështjet gjinore ne hartimin e ligjeve dhe zbatimin e tyre, promovimi i modeleve të mira grave në çdo fushë dhe ndalimi i gjuhës diskriminuese dhe urrejtjes ndaj grave dhe vajzave në rrjetet sociale, koordinimi mes veprimtarisë së gjithë aktorëve për te prodhuar më shumë sinergji në fushën e të drejtave të grave kanë nevojë për më shumë vëmendje.

Gjithashtu, zëvendëskryetarja e Kuvendit u shpreh se roli i nënkomisionit për barazi gjinore dhe për parandalimin e dhunës ndaj grave,  I nënkomisionit për të drejtat e njeriut; i nënkomisionit për qeverisjen vendore dhe ai i administratës publike në adresimin e çështjeve konkrete lidhur me mundësimin e barazisë gjinore në nivel vendor është me mjaft rëndësi.


Në këtë aktivitet mbajti një fjalë edhe deputetja tjetër e Kuvendit të Shqipërisë, njekohesisht edhe zevendeskryetare e komisionit te Integrimit, znj. Senida Mesi.

“Është një kënaqësi të përfaqësoj Shqipërinë në këtë seance plenare dedikuar grave në vendet e Ballkanit, por çfarë është më rëndësishme është të vlerësojmë çfarë është arritur deri tani dhe të përcaktojmë sa shumë mund të bëjmë së bashku në vazhdim në rajon. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë intensifikuar shumë bashkëpunimin në kuadër të procesit të Berlinit dhe procesit të intergrimit në Bashkimin Europian, bashkëpunim që përçohet dhe më tej me agjendën e barazizë gjinore”,- nisi fjalën e saj znj. Mesi.

“Faktori shqiptar ka nje rol të rëndësishëm në politikën e rajonit. Përgëzoj komunën e Tuzit për arritjen spektakolare në zgjedhjet lokale te 3 marsit ku “Forumi Shqiptar” arriti fitoren, përgëzoj kuvendin e Maqedonisë ku gjuha shqipe po flitet më shumë në parlament dhe ku faktori shqiptar ishte i rëndësishëm dhe në vendimim historik për ndryshimin e emrit në Maqedoni të Veriut, dhe përpjekjet e shumta të shtetkonsolidimit të Kosovës dhe përpjekjet e minoriteteve shqiptare në Bosnjë Hercegovinë dhe Serbi për të pasur të drejta të barabarta me bashkombësit e tyre. E në këtë këndvështrim roli i gruas shqiptare në politikë, ekonomi e në çdo fushë, në nivel lokal dhe rajonal bëhet dhe më i rëndësishëm”,- theksoi ajo.  

Më tej, fjala e zonjës Mesi vijoi: 

“Ka shumë arsye, që ne nënat, motrat dhe vajzat e këtij vendi të jemi krenare për rolin aktivqë luajmë në shoqërinë shqiptare.

Kabineti qeveritar shqiptar ka sot me shume gra ministra sesa burra. Po ashtu, në këshillat bashkiakë, që prej vitit 2015, gratë janë njësoj të përfaqësuara ashtu si edhe burrat. Në këtë legjislaturë të Kuvendit, janë të përfaqësuara më shumë gra se kurrë në historinë e vendit tonë.

Përsa i përket përfaqësimit politik, Shqipëria lë pas edhe shumë vende anëtare të Bashkimit Europian.

Në biznes, të dhënat e INSTAT raportojnë një rritje të vazhdueshme të grave sipërmarrëse. Të paktën 1 në 3 biznese, sot është në pronësi dhe drejtohet nga një grua.

Në arsim, nuk ka vend për krahasim. Pothuajse e gjithë trupa e studentëve ekselente formohet nga vajzat tona.

Në   administratën   publike,   gratë   zënë 50% të të punësuarve. 45% e drejtorëve të përgjithshëm janë gra. Në përfaqësimin diplomatik, 24% e ambasadorëve të Shqipërisë janë gra dhe 59% janë sekretare të përgjithshme.

 

Më e rëndësishmja është se sot ka shumë më tepër vajza dhe gra të punësuara, krahasuar me vetëm katër vite më parë. Sipas INSTAT, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë dhe vajzat është rritur nga 48% në 2013-n, në 60% në 2016-ën, shumë pranë mesatares europiane prej 64%.

Strategjia Kombëtare Gjinore ka dhënë disa rezultate inkurajuese në përparimin e të drejtave të grave. Gjithashtu, shumë ligje moderne të miratuara në këtë sallë kanë përmirësuar statusin e gruas shqiptare, duke i veshur ato me më shumë të drejta politike, ekonomike dhe sociale”.  

Duke u ndalur specifikisht në çështjet e barazisë gjinore në Shqipëri, deputetja Mesi shtoi se po  fuqizohet mekaniznimi i integrimit gjinor në çdo politikë dhe strategji sektoriale; se integrimi gjinor zë një vend të rëndësishëm në gjithë reformat e Shqipërisë për procesin e integrimit në Bashkimin Europian; në kontekstin rajonal Shqipëria duhet të rrisë bashkëpunimin, duke theksuar se së fundmi kishte patur një takim në Shqipëri me të gjithë agjencitë përgjegjëse për barazinë gjinore ku ishte diskutuar për ku qëndrojnë diferencat; Shqipëria është ndër vendet me përparimin më të madh në rajon në buxhetimin gjinor jo vetëm në qeverisjen qëndrore por dhe lokale; në kuadër të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe Agjendës 2030, objektivi nr. 5 për barazinë gjinore zë një vend të rëndësishëm në vendimmarrjen politike.

Znj. Mesi në mbyllje të fjalës së saj theksoi gjithashtu se INSTAT për herë të parë ka botuar dhe ka një zë shumë të rëndësishëm për statistikat gjinore. “Raporti i fundit i tyre  “Burra dhe gra në Shqipëri 2018” tregon sa shumë kemi avancuar dhe sa shumë pune kemi ende për të bërë”.