Kuvendi u mblodh në seancë plenare. U miratuan katër projektligje, një projektvendim dhe një projektrezolutë

  • Postuar më, 05/03/2019

 5 mars 2019

 

Seanca plenare, në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, miratoi sot katër projektligje, një projektvendim dhe një projektrezolutë. Seanca miratoi projektligjet, “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar”; , “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, të ndryshuar; “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet palëve të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore, për shkëmbimin e automatizuar të të dhënave të ADN-së, daktiloskopike dhe të të dhënave të regjistrimit të automjeteve, dhe marrëveshjes së saj zbatuese” dhe projektligjin  “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes për bashkëpunimin teknik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për programin e zhvillimit rajonal për Shqipërinë, ratifikuar me ligjin nr. 66/2017”.  

 

Gjithashtu,  seanca plenare miratoi projektvendimin “Për miratimin e planit vjetor për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2017-2021” dhe projektrezolutën “Për njohjen dhe mbështetjen e veprimtarisë së mbrojtësve të të drejtave të njeriut, në promovimin, nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e demokracisë”.  

 

Në nisje të seancës plenare, pas verifikimit të mandateve nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, deputetët e rinj të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ylli Shehu, znj. Arurora Mara, z. Enver Roshi dhe z. Edmond Rrushi, u betuan si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

 

Lidhur me projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar”, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Sadi Vorpsi, u shpreh se miratimi i këtij akti është me rëndësi edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale. Për deputetin e Partisë Socialiste ky ndryshim bëhet për t’u krijuar mundësinë e votimit, marrjen e shërbimeve publike dhe të përdorimit si dokumente udhëtimi të letërnjoftimeve aktuale përmes një shtyrjeje të afatit të rinovimit deri më 31 dhjetor 2019. Nevoja për këtë ndryshim afati vjen si pasojë e fluksit të lartë të qytetarëve aplikues. Në përfundim të diskutimeve, Kuvendi e miratoi këtë projektligj me 72 vota pro.

 

Në projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, të ndryshuar”, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Robert Bitri, theksoi se ky ndryshim siguron reduktimin e barrierave administrative, liberalizimin e tregut; përmirësimin e mëtejshëm i klimës së biznesit; përcaktimin e rregullave dhe procedurës së marrjes së mostrave, përgatitjes dhe dërgimit të këtyre mostrave për analizë në laboratorin qendror të farave apo laboratorët rajonalë dhe përcaktimin e rregullave dhe kritereve, që duhet të plotësojë laboratori i referencës dhe laboratorët e autorizuar. Në përfundim të diskutimeve të kësaj pike të rendit të ditës, seanca e miratoi projektligjin me 73 vota pro.  

 

Për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet palëve të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore, për shkëmbimin e automatizuar të të dhënave të ADN-së, daktiloskopike dhe të të dhënave të regjistrimit të automjeteve, dhe marrëveshjes së saj zbatuese”, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, znj. Elona Gjebrea, u shpreh se nënshkrimi i marrëveshjes do të forcojë bashkëpunimin policor ndërkufitar në luftën kundër terrorizmit, krimit te organizuar, krimit kufitar dhe emigracionit të paligjshëm. Sipas znj. Gjebrea, Shqipëria përfiton mundësinë e të shfrytëzuarit të të gjithë database-ve të vendeve nënshkruese të kësaj konvente, për kërkimin e menjëhershëm automatik online në gjurmë gishtash, profile ADN-je dhe të dhëna automjetesh të ruajtura në bazat e të dhënave të 5 vendeve të BE dhe të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në përfundim të diskutimeve seanca plenare këtë projektligj e miratoi me 73 vota pro.

 

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes për bashkëpunimin teknik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për programin e zhvillimit rajonal për Shqipërinë, ratifikuar me ligjin nr. 66/2017” diskutoi znj. Eglantina Gjermeni.  Znj. Gjermeni u shpreh se, përmes këtij ndryshimi, kompetencat dhe autoriteti i marrëveshjes së mëparshme me palën zvicerane i kalojnë nga pikëpamja e politikave Zëvendëskryeministrit, ndërsa nga pikëpamja e menaxhimit te granteve dhe projekteve i kalojnë Fondit Shqiptar te Zhvillimit dhe se ndryshimi i sjellë përmes këtij akti ligjor lidhet me zgjatjen e afateve të zbatimit të këtij programi. Në përfundim të diskutimeve, seanca plenare e miratoi me 73 vota pro këtë projektligj.

 

Projektrezoluta “Për njohjen dhe mbështetjen e veprimtarisë së mbrojtësve të të drejtave të njeriut, në promovimin, nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e demokracisë” u paraqit në seancë në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste nga znj. Vasilika Hysi. Znj. Hysi u shpreh se përmes kësaj rezolute Kuvendi angazhohet të nxisë institucionet përkatëse që  të trajnojnë dhe të mbrojnë  mbrojtësit e të drejtave të njeriut; të trajnojnë  punonjësit e policisë dhe shërbimeve të tjera, në të gjitha nivelet, lidhur me rolin dhe aktivitetin e mbrojtësve të të drejtave të njeriut; të edukojnë dhe  formojnë nxënësit me informacione për rolin e mbrojtësve të të drejtave të njeriut, si dhe për përgatitjen dhe formimin profesional të mësuesve, në këtë fushë sipas modeleve më të mira. Vështirësitë dhe pengesat në veprimtarinë e mbrojtësit të të drejtave të njeriut, vënia e jetës dhe e shëndetit në rrezik, krijimi i një mjedisi miqësor për mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe detyrimi parlamentar për forcimin e pavarësisë së tyre dhe rritjen e kapaciteteve financiare dhe institucionale, ishin disa nga arsyet e listuara nga znj. Hysi. Projektrezoluta u miratua me 73 vota pro.   

 

Seanca plenare miratoi gjithashtu projektvendimin “Për miratimin e planit vjetor për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2017-2021” me 72 pro.