Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi në tërësi projektligjin "Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore"

  • Postuar më, 18/02/2019

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin "Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore". Të ftuar për këtë projektligj ishin ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Bledar Çuçi  i dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie znj. Julinda Bare dhe Edlira Llango.

Relatori i këtij projektligji z. Robert Bitri, në fjalën e  tij u shpreh se ky ligj do të vendosi binarët e zbatimit ligjor dhe të traditës shqiptare për prodhimet bujqësore e blegtorale dhe se këto prodhime janë ndër faktorët kryesor për turizmin.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tha se projektligji është në frymën e një politike të re të qeverisë, për t’i hapur rrugë promovimit të produkteve tradicionale dhe lokale.

“Fokusi dhe vlerësimi i karakteristikave unike të produkteve shqiptare bëhet sipas një eksperience dhe praktikave të vendeve të BE. Ky është një hap i parë pozitiv drejt ndërtimit të sistemeve të cilësisë në produktet shqiptare.”, theksoi ndër të tjera z. Çuçi.

Pas diskutimeve, kryetari i komisionit z. Niko Peleshi hodhi projektligjin në votim, i cili u miratua nen për nen dhe në tërësi nga anetaret e komisionit.