Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi uron Kryeparlamentarin Kadri Veseli me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës

  • Postuar më, 15/02/2019

15 shkurt 2019


Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i dërgoi sot një letër urimi Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.


“Me rastin e kësaj ngjarjeje të shënuar për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët, Ju dërgoj përshëndetjet dhe urimet e mia më të përzemërta për përparimin e Kosovës, konsolidimin e demokracisë, avancimin e proceseve integruese euroatlantike, zhvillimin dhe mirëqenien e popullit të Kosovës dhe rritjen e kontributit të Republikës së Kosovës për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.  Jam i bindur se ndajmë të njëjtin mendim që prosperiteti, paqja dhe stabiliteti në rajon janë të mundura vetëm në saj të bashkëpunimit të ngushtë të të gjitha vendeve tona me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Atyre u jemi thellësisht mirënjohës për përkushtimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm për pavarësinë dhe përparimin e Kosovës si edhe mbështetjen e pakursyer për shqiptarët dhe të gjithë popujt e rajonit tonë”,- shkruan në letrën e urimit Kryetari Kuvendit Gramoz Ruçi.