Miratohet projektligji “Për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Kryetari Ruçi: Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, qëndrim prej europianistësh të vërtetë. Z. Talat Xhaferi pjesëmarrës në seancën plenare

  • Postuar më, 14/02/2019


14 shkurt 2019

 

Seanca e sotme plenare, në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, miratoi projektligjin “Për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. I pranishëm në seancën e sotme plenare ishte edhe Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, i cili mbajti edhe një fjalë përshëndetëse.

 

Z. Ruçi, në fjalën e tij,e cilësoi të sotmen si ditë të shënuar për rajonin, për shkak të rëndësisë që mbart anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO. Z. Ruçi shprehu kënaqësinë që Kuvendi i Shqipërisë është ndër të parët ndër 29 parlamentet e vendeve të aleancës, që e ratifikon këtë protokoll. 

 

“Ne kemi të qartë se kjo nuk do të ishte bërë e mundur, pa vullnetin, guximin politik dhe emancipimin e  shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe forcave politike që i përfaqësojnë ata. Partitë politike shqiptare, pa dallim orientimi politik, qofshin në qeverisje apo në opozitë, kapërcyen polarizimin politik e dallimet ideologjike dhe votuan me vetëdije të plotë ndryshimet kushtetuese që i hapën Republikës së tyre dritën jeshile për në NATO. Me këtë qëndrim ata u treguan europianistë dhe auroatlantikas të vërtetë”,- tha z. Ruçi.

 

Një familje vlerash, një vlerë e shtuar në progresin euroatlantik të të gjithë rajonit, për zhvillimin, paqen e stabilitetin rajonal e global dhe një bashkim vullnetesh për progres, zhvillim, mirëqenie e konsideroi Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë NATO-n, duke siguruar për rritjen e rëndësisë së kontributit të Shqipërisë në këtë organizatë.

 

Z. Talat Xhaferi, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, e konsideroi seancën e sotme një akt solemn. Mbështetjen e parlamentit shqiptar e konsideroi si reflektim të drejtpërdrejtë të miqësisë së vërtetë, fqinjësisë së sinqertë dhe mbështetjes së pakushtëzuar të një shteti vëllazëror. Z. Xhaferi vlerësoi bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në drejtim të bashkëpunimit ekonomik, kulturor, arsimor dhe turistik. Ai çmoi në fjalën e tij lidhjet e forta miqësore dhe farefisnore mes dy vendeve. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut shprehu përkushtimin e qeverisë së vendit të tij për ndërtimin e një “shoqërie për të gjithë”, pa dallim në përkatësinë etnike, fetare, sociale apo tjetër.”

 

Fjala në seancën plenare me rastin e ratifikimit të Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut

 

“I nderuar z. Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut,

Të nderuar kolegë deputetë,

Sot është një ditë e shënuar për Kuvendin e Shqipërisë, për vendin tonë, për rajonin dhe për Aleancën e Atlantikut Verior.

Një anëtar i ri, Republika e Maqedonisë së Veriut, është pranuar si anëtari i 30-të në gjirin e aleancës më të madhe mbrojtëse të kohës.

Për t’ia arritur kësaj dite, vendi mik, fqinj dhe partner i yni, ka kaluar sprova të mëdha. Njerën prej tyre, atë më të vështirën, sapo e kapërceu, nëpërmjet një kurajoje, guximi, vullneti e dëshire për progres, zhvillim, partneritet, stabilitet dhe paqe. 

Dhe ja ku jemi sot, në ditën e shumëpritur nga të gjithë.

Protokolli mbi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO u nënshkrua më 6 shkurt 2019 nga përfaqësuesit e plotfuqishëm të  29 vendeve anëtare në NATO.

Ratifikimi i Protokollit nga parlamentet e vendeve anëtare ka nisur. Unë shpreh kënaqësinë që Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është ndër parlamentet e para  që po ratifikon këtë Protokoll, duke nisur kështu  hapin ligjor përfundimtar që do të mundësojë pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Traktatin e Atlantikut të Veriut, duke e bërë kështu Maqedoninë e Veriut anëtare të NATO-s.

Ky hap i madh u bë i mundur në saj të Marrëveshjes së Prespës, midis dy fqinjëve tanë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Parlamentet dhe qeveritë e të dy vendeve dëshmuan një shkallë të lartë emancipimi dhe përgjegjësie politike, kombëtare e rajonale, duke këputur nyjën që mbante pezull, natyrisht pa e merituar, miqësinë dhe partneritetin midis të dy vendeve si edhe rrugëtimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.

Të dy shtetet meritojnë më së pari dhe kredencialet më të mëdha për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Ne kemi të qartë se kjo nuk do të ishte bërë e mundur, pa vullnetin, guximin politik dhe emancipimin e  shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe forcave politike që i përfaqësojnë ata.

Partitë politike shqiptare, pa dallim orientimi politik, qofshin në qeverisje apo në opozitë, kapërcyen polarizimin politik e dallimet ideologjike dhe votuan me vetëdije të plotë ndryshimet kushtetuese që i hapën Republikës së tyre dritën jeshile për në NATO. Me këtë qëndrim ata u treguan europianistë dhe auroatlantikas të vërtetë.

Ky qëndrim nuk është i papritur. Të gjithë ne kemi pasur rastin ta konstatojmë atë. Ndërsa unë pata rastin ta prek nga afër gjatë vizitës sime të fundit në Maqedoninë e Veriut para disa javësh.

Dëshiroj të përshëndes, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe në cilësinë time si Kryetar i Kuvendit, vizionin e qartë euroatlantik të udhëheqësve politikë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, në mënyrë të veçantë të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kolegut dhe mikut tonë të nderuar, z. Talat Xhaferi.  Ju falëminderit, z. Xhaferi me qëndrimet që dëshmuan frymën euroatlantike tuajën, por edhe të të gjithë shqiptarëve të rajonit! 

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO është një vlerë e shtuar në progresin euroatlantik të të gjithë rajonit, për zhvillimin, paqen e stabilitetin rajonal e global.

Por është më shumë se kaq. Anëtarësimi në NATO nuk është thjesht bashkimi në një organizatë politike, por në një familje vlerash. NATO nuk është thjesht një aleancë mbrojtëse ushtarake, por një koalicion e bashkim vullnetesh për progres, zhvillim, mirëqenie.

Në këtë organizatë, kontributi i Shqipërisë dhe i rajonit tonë po bëhet gjithnjë e më rëndësishëm.

Ju faleminderit.

 

 

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut:

 

“I nderuar Kryetar i Kuvendit te Republikes së Shqipërisë z. Gramoz Ruci

 

Të nderuar kolegë deputetë;

Zonja dhe zotërinj;

Të nderuar përfaqësues të mediumeve

 

Kam nderin që sot t'ju drejtohem në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ta shpreh kënaqësinë time personale dhe ndjenjën e krenarisë, që sot jam dëshmitar i një akti kaq solemn për ne, për qytetarët e Republikës së Maqedonisë Veriore dhe për gjithë ata që kontribuan për atë se ku gjendemi sot, që na besuan dhe na mbështetën. Sot, para së gjithash jam dëshmitar i reflektimit të drejtpërdrejtë të miqësisë së vërtetë, fqinjësisë së sinqertë dhe mbështetjes së pakushtëzuar të një shteti vëllazëror siç është Republika e Shqipërisë .

Marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve tona janë të ndërthurura me fije të forta të miqësisë, por edhe të lidhjeve farefisnore. Kemi raporte bilaterale të zhvilluara në të gjitha nivelet politike më të larta, por edhe në fushën e bashkëpunimit ekonomik, kulturor, arsimor, madje edhe turistik. Ju jeni mbështetësi ynë i fortë në të gjitha nismat rajonale dhe para organizmave ndërkombëtare multilaterale.

 

Të nderuar, 

besoj se jeni mirë të familjarizuar me përpjekjet e shumicës parlamentare aktuale për ndërtimin e një imazhi të ri të shtetit përbrenda dhe në raportet me fqinjët. Jemi të përkushtuar në ndërtimin e një 'shoqërie për të gjithë ", pa dallim në përkatësinë etnike, fetare, sociale apo tjetër. Punojmë shumë në drejtim të bërjes së reformave në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe ky proces nuk është aspak i lehtë por synimi ynë është shtet me të vërtet demokratik me sundim të së drejtës dhe me institucione funksionale në shërbim të qytetarëve prandaj punojmë me përkushtim. Paraprakisht u përqendruam maksimalisht në mbylljen e çështjeve që e ngarkonin rrugëtimin tonë kah arritja e përcaktimeve tona strategjike, gjegjësisht anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO dhe BE. Nënshkruam marrëveshje për miqësi e fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë. Nënshkruam marrëveshjen përfundimtare për zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Republikën e Greqisë. Miratuam ndryshimet kushtetuese, gjë që nuk ishte aspak e lehtë dhe shkaktoi protesta në të dyja anët, gjë që flet vetvetiu se Marrëveshja është një kompromis “win-win”, ku të gjithë janë fitimtarë dhe të gjithë janë humbës. Por në fakt fitoi largpamësia dhe guximi i shumicës parlamentare, fitoi vizioni për ardhmërinë e sigurt dhe fituan qytetarët tanë. E dinim ku duam të jemi dhe nuk hezituam në asnjë çast , pa dallim në vështirësitë , sepse qytetarët tanë meritojnë të jenë qytetarë të lumtur, me të drejta dhe liri të barabarta, me vlera dhe standarde evropiane, me mundësi dhe shanse të njëjta. Dhe nuk ishim dhe nuk jemi vetëm në këtë rrugëtim. Çdo herë i kemi pasur pranë miqtë dhe partnerët e vërtetë dhe për këtë jemi mirënjohës pa masë . 

 

Përpjekjet tona nuk dështuan dhe tani jemi në fazën e kalimit të kilometrave të fundit para anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në raport me NATO-n, ne shpresojmë se deri në fund të këtij viti ose fillimin e vitit 2020, protokolli për anëtarësimin e plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, që para pak javësh u nënshkrua në mënyrë solemne në Bruksel nga ana e 29 ambasadorëve të shteteve anëtare e NATO-s. Para dy ditëve, Protokollin e ratifikoi Kuvendi i Republikës së Sllovenisë dhe simbolikisht e hapi derën për parlamentet nacionale të tjera. Edhe sot Kuvendi i Republikës së Shqipërisë e ratifikoi Protokollin e Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ndaj qytetarëve të saj. Jeni të sigurt se ne këtë do mbajmë mend gjithmonë dhe gjithmonë kemi ditur t’i respektojmë dhe vlerësojmë miqtë tanë të vërtetë - Shqipëria dhe shqiptarët janë pikërisht kjo .

 

Ju faleminderit për vëmendjen!”