Komisioni për Sigurinë zhvilloi sot një seancë dëgjimore me drejtuesin e Akademisë së Sigurisë z. Bilbil Mema

  • Postuar më, 12/02/2019

 12 Shkurt

Komisioni për Sigurinë, në drejtimin e kryetares Ermonela Felaj zhvilloi sot, një seancë dëgjimore me drejtuesin e Akademisë së Sigurisë z.Bilbil Mema. Dëgjesa u bë lidhur me procesin e rekrutimit të studentëve, të cilëtë kanë përfunduar Universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit, si dhe programin e punës së Akademisë për vitin 2019 .

Në fjalën e saj znj Ermonela, vuri theksin te rëndësia që ka Akademia e Sigurisë, si një nga institucionet publike te arsimit të lartë, që pregatit  punonjësit e  rinj të policisë,  për faktin që siguron pasjen e  kapaciteteve  të mira në Policinë e Shtetit.


Në fjalën e tij z.Bilbil Mema në vijim te ekspozesë së punës së bërë nga Akademia e Sigurisë për shkollim-trajnimin e Policisë së Shtetit, tha se: “nga viti 2015 kur u rihap Akademia deri sot, ajo ka 60 programe të miratuara me kurrikula të vecanta . Në programin Bachelor jepet diplomë për "Siguri dhe Hetim" , sipas sistemit të Bolonjës, në programin Master Profesional  jepet diplomë për “Siguri Publike” dhe për programin Master për Hetimin  jepet titulli “ Hetues” në Policinë e Shtetit.


Më tej z. Mema shtoi se: ” Sa i përket  rekrutimit në Policinë  e Shtetit,   të studentëve që kanë përfunduar Universitetin me rezultate të larta, në funksion të këtij proçesi, ne kemi hapur portalin e Akademisë dhe kemi përgatitur dokumentacionin përkatës. Ka dalë urdhëri i ministrit për kriteret e veçanta, urdhëri i Drejtorit të Policisë për proçedurën dhe mënyrën si do të zhvillohet konkursi. Në portalin e Akademisë, deri tani janë 400 aplikime për 150 vende, që janë shpallur vakante në polici. Në datën 15 shkurt do të mbyllen aplikimet dhe Komisioni i ngritur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, i përbërë nga pedagogë të Akademisë do të përzgjedhë kandidatet fitues. Hapi i dytë, është  kontrolli i nivelit të   gjuhës angleze  dhe gjuhëve të tjera dhe më pas kontrolli fizik dhe mjekësor. Në 1 Mars mendojmë të fillojmë kursin per gradën “Oficer” të këtyre studentëve të ekselencës. Ky kurs, do të zgjasë 6 muaj,programi i këtij kursi është në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë  dhe në shtator këta 150 kursantë do të jenë në dispozicion të strukturave të Policisë së Shtetit”- tha z. Mema.

 

Z.Bilbil Mema, në përgjigje të pyetjeve dhe interesimit të anëtarëve të komisionit , i ftoi ata  edhe për nje vizitë në Akademinë e Sigurisë.